Fjalë Kyçe

Baraliu për refuzimin e negociatave për Shqipërinë: BE-ja është në krizë serioze

Baraliu për refuzimin e negociatave për Shqipërinë: BE-ja është në krizë serioze

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka thënë se moshapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkim Europian, tregon se BE-ja është në krizë serioze.

Këto komente ai i bëri në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, duke shtuar se BE-ja po përdorë standarde të dyfishta kur bëhet fjalë për çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kjo shpërfaqë mosunitetin brenda Bashkimit Europian. Tani janë dy rryma kryesorë që kanë dalë në sipërfaqe – madje Merkel e tha publikisht se është për hapjen e negociatave për Shqipërinë. Ndërsa Franca ishte kundër”.

“Ky vendim është më i dëmshëm për proceset brenda BE-së sesa për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”.

“Këto dy shtete janë më pro-eropianet në Ballkan dhe fakti se nuk pati një vendim për çelje të negociatave për anëtarësim – është për keqardhje. Unë mendoj se nuk ka politika eurocentriste brenda BE-së që do t’i studion pasojat e këtyre veprimeve”.

“Kjo është e padenjë dhe nënçmuese për këto dy shtete sepse ky avaz i shtyrë kështu – sa herë vijnë udhëheqësit e rinj thonë se ju e keni perspektivën evropiane dhe kjo është tallje. Mungojnë aktivitetet e koordinuara brenda BE-së; ata duhet ta shërojnë vetveten e tyre dhe të përmirësohen”.

“BE-ja me një fjali është në krizë dhe kriza është serioze. Tani shumë shtete si Britania e Madhe, Hungaria, Polonia, Greqia, Italia dhe Spanja kanë dilema nëse do të jenë apo nuk do të jenë në këtë sistem”.

“Ka krizë serioze të brendshme në BE-së. Është e vërtetë se Presidenti Makron e kërkon një reformim paraprak për integrim. Ky është një qëndrim i gabuar sepse në radhë të parë ata duhet të shërohen përbrenda”.

Baraliu ka thënë se midis vendeve anëtare të Bashkimit Europian vërehet se ka probleme serioze dhe konceptuale. Sipas tij, Gjermania dhe Franca janë thjeshtë në një kolizion veprues dhe nuk mund t’i harmonizojnë veprimet e tyre.

“Ai reformim që po kërkon Franca janë qëndrime konservative. Ata nuk mund të kërkojnë standarde ekstravagante që nuk gjenden as përbrenda BE-së. Në BE kanë pranuar vende më pak të përgatitura sesa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”.

“Kanë pranuar kandidaturën për Serbinë e cila ka probleme serioze. Ndërkohë që me standarde të dyfishta veprohet ndaj Shqipërisë dhe Maqedonisë. Padrejtësisht veprohet edhe ndaj Kosovës për mos dhënien e liberalizimit të vizave”.