Fjalë Kyçe

Bare-restorantet, sektori më i prekur në ekonomi gjatë pandemisë

Bare-restorantet, sektori më i prekur në ekonomi gjatë pandemisë

31 ditët e muajit maj janë një test i madh. Pas një serie me rezultate pozitive, me trend në rënie në infektime përkundër numrit më të madh të testeve, u prezantua plani për kthimin në normalitet, raporton KOHA.

Por ankthi është rritur tek bizneset. Kjo pasi askush, nuk mund t’u jap përgjigje të prerë në dy pyetje: kur do të mund t’i kthehen normalitetit të pakushtëzuar, dhe nëse do të jetë shumë vonë?

Dy prej veprimtarive që janë paraparë të fillojnë së funksionuari nga 18 maji e tutje, me kufizime të caktuara, janë transporti urban dhe gastronomia. “Mund të them që bizneset e para që janë mbyllur janë bizneset gastronomike dhe bizneset e fundit që hapen janë bizneset gastronomike”, ka thënë Petrit Kllokoqi kryetari i shoqatës së gastronomëve.

Petrit Kllokoqi, që i përfaqëson gastronomët, ka të drejtë në këtë pikë: vetëm pas 1 qershorit, gastronomia parashihet të hapet plotësisht: por siç shkruan në paralajmërimin poshtë: konform rregullave të vendosura me protokollin epidemiologjik. Vende të ndryshme, kanë treguar qasje të ndryshme në planet e tyre të hapjes për gastronominë.

“Modelet nëpër vende të rajonit, por edhe evropiane parashohin që të jetë mjete dezinfektuese, klientët të jenë me maska, distanca të jetë 1.5 metra, menyrë të jenë njëpërdorimëshe… ngushtohet hapësira, ne kemi me punuar me një të tretat e kapacitetit, por shpenzimet kemi me i pasur të njëjta”, ka thënë ai.

Edhe në Kosovë, pritet të shqyrtohen modele të ndryshme. Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, e ka përmendur modelin e Lituanisë, por janë përmendur edhe modelet si ai në Austri. Varësisht nga ecuria e situatës me pandeminë, bizneset e tyre do të kenë kufizime edhe pas qershorit, çka do të paraqiste problem serioz për ta në ruajtjen e fuqisë punëtore dhe mbijetesë.

Një tjetër veprimtari që pritet të nisë së funksionuari po ashtu me kufizime nga 18 maji, është edhe transporti urban. Këta autobusë, ka një kohë të gjatë që kanë mbetur pa u ndezur. Dhe me ta, po rrezikohen edhe shumë punëtorë. Ndërmarrja “24 yjet” është ndër më të mëdhatë në transportin urban privat.

Gani Sinani, drejtor i kompanisë dhe një nga 24 aksionarët, tregon se të gjithë punëtorët i kishin të regjistruar dhe kanë aplikuar për të qenë përfitues nga pakoja e ndihmës e ofruar nga qeveria.

Por, ai është i shqetësuar për fatin e punëtorëve të tij, edhe pas fillimit gradual të kthimit në normalitet. Shqetësimin e njëjtë e ka edhe Izet Ismajli, që i përfaqëson kompanitë private në transport publik. Që shumë kërkesat të kenë mundësi të merren parasysh pas 1 qershorit, varet nga shumë faktorë.

E që të testi i muajit maj të kalohet me sukses, do të duhet që secili prej nesh të vazhdojë të zbatoj masat për parandalim të shpërndarjes së COVID-19, pandemisë që paralizoi botën.