Deputeti nga radhët e LVV-së Dimal Basha, ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, i cili sot gjatë një debati televiziv e ka quajtur “hajn” ministrin e Financave, Hekuran Murati.
Basha i është kundërpërgjigjur Haradinajt duke i thënë se “Hekurani ka kry shkollimin para se me u ba Ministër, në krahasim me Ramushin që niherë ka hy në politikë, e tek pastaj i ka ra n’mend me kry shkollë”.
“Sa për hajn, po besoj edhe zogjtë e malit e dinë se a prek pare publike Hekuran Murati. Nuk e ka akuzu kurrë kërkush për haraç. As nuk ka shpia milionëshe që ia kanë pagu “jaranat.” As nuk e ka partinë me “tapi.” Hekurani nuk ka ba ligj për homologim ku janë vjedh miliona prej qytetarëve me vite të tana, e as nuk është akuzu asnjëherë që ka vjedh miliona n’asfalt. Përkundrazi, ka qenë nismëtar për heqjen e homologimit që ua ka prish shumë e pazarin disave, dhe sigurisht se po i ndal plot dyshime të hajnive në asfalt, e që po doket po i djegin Ramushit ma s’shumti”, ka thënë Basha.
“Mirë që populli ta ka kall bishtin, e tash del bërtet u kall katuni. Katuni o n’durë t’sigurta Ramush, veq bishti yt u kall, relax!”, ka shtuar ai.
Haradinaj duke folur rreth akuzave për shpronësim të paligjshëm në rrugën Pejë – Prishtinë, e ka quajtur Muratin “hajn i vogël i Kurtit”.
“Ministri në këtë rast është vetëm tagrambledhës, hajn i vogël i Kurtit. Ai e ka bërë këtë për të tërhequr vëmendjen nga vdekjet e qytetarëve. Paratë nuk janë paguar për shpronësimin, e këta e kanë bërë konferencën e më pastaj e kanë dërguar lëndën në prokurori. Krejt kjo është për mos ta kryer rrugën Pejë – Prishtinë. Është një dënim që po e bëjnë për Dukagjinin”, është shprehur Haradinaj. /Zëri