Fjalë Kyçe

Bastisjet në OVL të UÇK-së: Gucati transferohet në Hagë, për Haradinajn s’ka të dhëna

Bastisjet në OVL të UÇK-së: Gucati transferohet në Hagë, për Haradinajn s’ka të dhëna

Rreth mesditës të së premtes, numër i madh i policëve të EULEX-it kanë zbarkuar në zyrat qendrore të Organizatës së Veteranëve të Luftës.

Janë larguar të gjithë ata që ndodheshin në zyrat e OVL-së, përjashtim bënte kryetari Hysni Gucati.

Pas disa minutash, në selinë e kësaj organizate ka ardhur avokati Tomë Gashi, që përfaqëson OVL-në në raport me Gjykatën Speciale në Hagë.

Pas një ore e gjysme, Gucati është nxjerrë i prangosur nga policët e EULEX-it.

Urdhërarresti për Gucatin, siç i ka thënë avokati Gashi televizionit, kishte fare pak të dhëna. Tregonte vetëm për arrestimin dhe transferimin në Hagë, por jo edhe për veprën penale për të cilën po arrestohej.

Nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj, për disa orë nuk ka qenë në afërsi të zyrave të OVL-së.

Ka ardhur para zyrave pas orës 15. Megjithatë nuk është futur brenda me pretekstin se “nuk e njeh EULEX-in, si instancë për arrestime”.

Rreth gjysmë ore me vonë, ai është arrestuar. Ka refuzuar të futet në veturën e EULEX-it, por është futur në një veturë të Policisë së Kosovës e që përcillej nga veturat e EULEX-it.

As për Hardinajn nuk dihet se për cilën vepër penale është arrestuar.

Por para se të arrestohej ka thënë se ai dhe Gucati kurrë nuk janë intervistuar si të dyshuar për krime lufte, duke lënë hapur mundësinë që urdhërarrestet janë për publikimin e dosjeve, që kjo organizatë pretendonte që janë të Gjykatës Speciale.

Siç i kanë thënë burimet KOHËS, brenda në aksion po merrte pjesë hetuesi i Dhomave të Specializuara, i cili kishte qenë më herët në zyrat e OVL-së për t’i marrë dosjet që kjo organizatë publikonte.

Rreth 50 policë, të maskuar hynin e dilnin nga objekti ku gjendën zyrat e OVL-së. Disa raste ata sillnin dhe fusnin brenda pako të mbyllura, por që nuk dihet se çka kishte brenda.

Ata kanë brohoritur nga veteranët që ishin mbledhur aty përpara. Janë gjuajtur edhe me gjësende.

Njerëzit sipas kësaj organizate janë mbledhur vetë, pa u ftuar nga drejtuesit e OVL-së, sepse siç kanë thënë nga kjo organizatë po të ftoheshin veteranët situata do të mund të dilte nga kontrolli.

Në prani të zyrave kishte dhjetëra policë të Kosovës, por siç ka mësuar KOHA, roli i tyre ishte vetëm ta mbajnë nën kontroll situatën jashtë zyrave.

Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë nuk janë deklaruar ende për këtë aksion.

Në OVL kanë thënë se Gucati tashmë është transferuar në Hagë, ndërsa për Haradinajn ende nuk ka informata.

Ky është aksioni i dytë i Gjykatës Speciale, i asistuar nga EULEX-i.