Taylor Hawkins, bateristi i “Foo Fighters”, kishte 10 substanca të ndryshme në trupin e tij në kohën e vdekjes, kanë thënë zyrtarët kolumbianë.
50-vjeçari ishte në turneun botëror të grupit në Amerikën e Jugut, kur u njoftua vdekja e tij e papritur të shtunën (26 mars).
Në një deklaratë pas një ekzaminimi fillestar mjekoligjor, zyra e prokurorit të përgjithshëm kolumbian tha se një test paraprak toksikologjik i urinës tregoi praninë e 10 substancave, duke përfshirë marihuanë, ilaçe kundër depresionit dhe opioidë.
“Instituti Kombëtar i Mjekësisë Ligjore vijon të kryejë studimet e nevojshme mjekësore për të konstatuar shkakun e vdekjes. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm do të vazhdojë të hetojë dhe do të informojë në kohën e duhur gjetjet e ekspertizës mjeko-ligjore”, thuhet në deklaratë.
Grupi luajti në Argjentinë të dielën e kaluar dhe do të performonte në Bogota të premten mbrëma. Qeveria komunale e Bogotas tha se qendra e urgjencës së qytetit mori një raport për një pacient me “dhimbje gjoksi” dhe dërgoi një ambulancë të premten në mbrëmje (25 mars), shkruan The Guardian.
Mjekët u përpoqën të ringjallën Hawkins, por nuk pati asnjë përgjigje dhe ai u deklarua i vdekur në hotelin e tij në Bogota veriore, thuhet në deklaratë.
Grupi, i kryesuar nga ish-bateristi i Nirvana, Dave Grohl, tha se ishin “të shkatërruar nga humbja e parakohshme” dhe kërkuan që të respektohej privatësia e familjes së Hawkins.
Homazhet kanë ardhur nga emra të shumtë të industrisë së muzikës, Miley Cyrus, e cila performoi në Bogota këtë javë, tha se do t’ia kushtonte shfaqjen e saj të radhës Hawkins, transmeton telegrafi.
Hawkins luajti me grupin për më shumë se dy dekada, së bashku me Grohl, Nate Mendel, Pat Smear, Chris Shiflett dhe Rami Jaffe.
Ai u bashkua në 1997 pas largimit të bateristit të mëparshëm të grupit, William Goldsmith.
Grupi ishte planifikuar të perfoormonte në Grammy më 3 prill dhe do të fillonte një turne të ri në Amerikën e Veriut në maj.
Hawkins lindi në Fort Worth të Teksasit në vitin 1972 dhe u rrit në Laguna Beach të Kalifornisë. Ai la pas vetes gruan Alison dhe tre fëmijët e tyre.