Gazetari dhe analisti Baton Haxhiu, kohëve të fundit është aktivizuar me shkrime autoriale. Në njërin prej tyre ai ka kritikuar ashpër edhe dy liderët e opozitës, kryetarin e PDK-së Memli Krasniqi dhe kryetarin e LDK-së Lumir Abdixhiku, duke i quajtur ‘fëmijë të lazdruar’.
Haxhiu, duke folur në emisionin Pressing, ka thënë se arsyeja kryesore përse ka kritikuar dy kryetarët, është mos-veprimi i tyre opozitar ndaj Qeverisë Kurti.
Haxhiu ka thënë se të dy, edhe Krasniqi edhe Abdixhiku, flasin me gjuhë të organizatave joqeveritare.
“Këta e kanë fjalorin e NGO-ve, nuk mundesh me pasë këso fjalori me një parti që e ka shkatërruar këtë vend me vite”, ka thënë Haxhiu në Pressing.
Haxhiu ka thënë se e shqetëson pasiviteti i tyre.
“Ajo që mua më shqetëson, është që nuk mundesh t’i shikosh lojërat e Milanos se je kryetar i një opozite në një vend që është në krizë. Nuk munden njerëzit e PDK-së të rrijnë deri në tre në kafe dhe të bëjnë jetën e qefit, duke qenë në pozita të larta dhe të mos bëjnë veprime opozitare”, ka deklaruar ai.
“Nuk kam rrugë të tjera përvecse të shkruaj”, ka shtuar Haxhiu.