Fjalë Kyçe

Bayerni e kërcënon Gjermaninë: Nëse e zgjidhni Ter Stegenin para Neuerit, s’jua japim lojtarët

Bayerni e kërcënon Gjermaninë: Nëse e zgjidhni Ter Stegenin para Neuerit, s’jua japim lojtarët

Presidenti i Bayern Munichut, Uli Hoeness, e ka paralajmëruar Kombëtaren e Gjermanisë të mos e përzgjedhë Marc-Andre ter Stegenin në vend të Manuel Neuerin ose përndryshe yjet e Bayernit do ta bojkotojnë ekipin kombëtar.

Kapiteni i Gjermanisë, Manuel Neuer, dhe rivali i tij për pozitën e portierit në ekipin kombëtar, Marc-Andre ter Stegen, u përfshinë në një debat publik gjatë kësaj jave, pasi ylli i Barcelonës e shprehu pakënaqësinë e vet që nuk u inkuadrua në lojë gjatë ndeshjeve të shtatorit të Gjermanisë, transmeton Gazeta Express.

33-vjeçari Neuer iu përgjigj duke thënë se ai po e vendoste veten para skuadrës, kritikë kjo që pastaj Ter Stegeni e quajti të papërshtatshme.

Debati mes tyre u duk se u ndal, mirëpo atë e nxiti sërish presidenti i Bayernit, Hoeness, i cili e goditi Ter Stegenin pas fitores 3:0 të Barcelonës kundër Crvena Zvezdas në Ligën e Kampionëve, të mërkurën.

Hoeness i akuzoi një pjesë të mediave gjermane se po e trajtojnë portierin 27-vjeçar të Barcelonës sikur t’i kishte fituar 17 trofe të Kupës së Botës dhe insistoi se Neueri është portieri më i mirë nga ata të dy.

Edhe pse e vlerësoi mbështetjen e presidentit të klubit të tij, Neueri dëshiroi t’i japë fund debatit me bashkëkombësin e vet dhe tha se ky debat është i nxitur nga mediat. Megjithatë, vetë drejtori i klubit të tij e nxiti sërish debatin, duke e kërcënuar ekipin kombëtar të Gjermanisë.

“Ne s’do ta pranonim kurrë që Ter Stegeni ta zëvendësojë Neuerin si portier i parë. Nëse Bayerni informohet për këtë ndryshim para se të ndodhë, nuk do t’i dërgojmë lojtarët tonë në Kombëtare më”, tha Hoeness.

Megjithatë, drejtori teknik i Kombëtares së Gjermanisë, Oliver Bierhoff, më vonë tha se nuk është i shqetësuar nga ky kërcënim, pasi që sipas rregullave të FIFA-s, klubi detyrohet t’ua lëshojë lojtarët ekipeve kombëtare.