Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka njoftuar se më 2019 do të ndërtohen edhe 25 shtëpi të reja për familjet në nevojë.
Sipas Jasharit, këto shtëpi do të ndërtohen në bashkëpunim mes Komunës së Skenderajt dhe shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, që drejtohet nga humanisti Halil Kastrati.
“Edhe 25 shtëpi të reja do t’i ndërtojmë në vitin 2019, të dedikuara për familjet më kushte të rënda banimi, fal bashkëpunimit dhe mirëkuptimit që kemi me hoxhën Halil Kastrati dhe Shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, me të cilën kemi nënshkruar Marrëveshje të Bashkëpunimit për realizim të këtij projekti, ku ne si Komunë e Skenderajt do të participojmë me 125 mijë euro (5,000 euro për çdo shtëpi), ndërsa pjesën tjetër Shoqata “Jetimat e Ballkanit”, ka shkruar Jashari në rrjetin social “Facebook”.
Ai tutje ka bërë të ditur se ka marrë premtim nga humanisti se numri i shtëpive që do të ndërtohen do të jetë më i lartë se 25.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur që po kontribuojmë për të zgjidhur çështjen e banimit të familjeve nevojtare të komunës së Skenderajt”, ka shtuar kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.