Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, thotë se në asnjë mënyrë dhe për asnjë çmim nuk duhet dhe nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në emër të arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Jashari thotë se ajo që duhet të ndryshojë kushtetutën është Serbia, e cila përveç kësaj duhet dhënë përgjegjësi për të pagjeturit, viktimat e luftës, gjenocidin mbi popullatën e pafajshme dhe dëmet materiale të shkaktuara në luftën e fundit në Kosovë.
Ndryshe, ndërmjetësi i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, me qëllim që t’i hapet rrugë krijimit të Asociacionit të komunave serbe, sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel në vitin 2013 dhe të miratuar nga Kuvendi i Kosovës.