Adnan Januzaj është përfshirë te Përfaqësuesja e Belgjikës për ndeshjet e edicionit të tretë të Ligës së Kombeve që zhvillohen muajin e ardhshëm.
Përzgjedhësi i Belgjikës, Roberto Martinez, të mërkurën ka publikuar listën, ka njoftuar Federata e Futbollit të Belgjikës.
Në këtë listë, ku gjendet edhe Januzaj, përzgjedhësi Martinez ka përfshirë 32 futbollistë.
Belgjika gjatë muajit të ardhshëm, do t’i luajë katër ndeshje në kuadër të Ligës së Kombeve. Është pjesë e Grupit 4 të Ligës A të Ligës së Kombeve, së bashku me Holandën, Uellsin dhe Poloninë. Dy ndeshjet e para, Belgjika do t’i luajë në shtëpi, me Holandën (3 qershor) dhe Poloninë (8 qershor).
Më 10 qershor, Belgjika do të përballet në udhëtim me Uellsin, ndërsa tri ditë më vonë do të jetë mysafire e Polonisë.
Januzaj 27-vjeçar është pjesë e skuadrës nga La Liga, Real Sociedad dhe këtë edicion ka pesë gola e tri asistime në të gjitha garat. Ai me Belgjikën ka zhvilluar 15 ndeshje deri më tani dhe ka shënuar një gol.