Fjalë Kyçe

Berisha edicionin tjetër në Serie A, me apo pa SPAL-in

Berisha edicionin tjetër në Serie A, me apo pa SPAL-in

Prishtinë, 5 shkurt – Portieri Etrit Berisha është i vendosur që edicionin e ardhshëm të paraqitet në Serie A të Italisë. Berisha aktualisht është pjesë e SPAL-it, ekipit që bën gara në Serie B dhe synim e ka kthimin e menjëhershëm në elitën e futbollit italian, pas rënies në vitin e kaluar.

Nëse SPAL-i nuk arrin të kthehet në Serie A, atëherë Berisha një gjë të tillë planifikon ta bëjë i vetëm, duke u transferuar në një ekip elitar. Atij nuk i mungojnë ofertat nga skuadrat e Serie A, të cilat kërkuan transferimin e prishtinasit edhe gjatë afatit kalimtar të janarit, që u mbyll të hënën. Mirëpo, Berisha i refuzoi të gjitha për të mbetur te SPAL-i, pasi dëshiron ta ndihmojë ekipin dhe të jetë protagonist në realizimin e synimit. Në një bisedë për KOHËN, Berisha ka pranuar se muajin e shkuar pati oferta, por nuk dëshiroi të largohej. Edhe pse nuk i zbuloi emrat e klubeve që ishin të interesuara për të, nëpër mediumet italiane kanë qarkulluar lajmet se Berishën e kanë kërkuar Milani e Bologna.

“Do të mundohem që sa më shpejt me SPAL-in të kthehemi në Serie A, mundësisht sezonin e ardhshëm. Kemi një ekip të mirë dhe jam plotësisht i bindur se me këtë grup të lojtarëve pa problem do të jemi në mesin e skuadrave që do të garojnë edicionin e ardhshëm në Serie A. Kjo edhe është arsyeja që nuk u largova nga SPAL-i në janar, përkundër ofertave që kishte nga skuadrat elitare”, është shprehur Berisha, 31-vjeçar. “Në fakt, ofertat nuk më bindën të largohem nga SPAL-i. Dhe, nëse në fund të sezonit nuk kthehemi në Serie A, atëherë besoj se do të ketë ndonjë ofertë të rëndësishme për shkak se synimi im është të luaj në elitë”.

Berisha këtë edicion ka 11 paraqitje për SPAL-in. Arsyeja e numrit të vogël të paraqitjeve është se kohë më parë ai u infektua me koronavirus dhe kaloi nëpër një periudhë të vështirë duke u shtrirë edhe në spital. Mirëpo, tani Berisha insiston se është kthyer më i fortë se kurrë dhe është i kënaqur me formën që po e tregon.

“Mund të them se gjëja më e rëndësishme është që kam filluar prapë të luaj, pas periudhës së vështirë që e pata si pasojë e prekjes me koronavirus. Tani më duhet të fokusohem të bëj paraqitje edhe më të mira, ndonëse deri më tani jam i kënaqur në përgjithësi me atë që kam treguar. Me një formë të tillë mendoj se mund t’ia jap një dorë SPAL-it në tentimin për t’u kthyer në Serie A”, potencoi Berisha. “Kështu që jam i fokusuar maksimalisht ta ndihmoj ekipin tim për të marrë rezultate pozitive. Në fund të sezonit do të shoh se ku jemi dhe cilat do të jenë mundësitë e mia për t’u kthyer në Serie A. Deri më tani mendoj se jemi në rrugë të duhur me ekipin”.

Megjithatë, Berisha e pranoi se kthimi në elitë nuk do të jetë aspak i lehtë, për shkak se gara në Serie B po bëhet gjithnjë e më e vështirë. SPAL-i aktualisht zë vendin e gjashtë në tabelë me 34 pikë të mbledhura, pas 20 xhirove të zhvilluara. Dy skuadrat e para në tabelën e Serie B këtë edicion e kanë të garantuar direkt futjen në Serie A, derisa gjashtë skuadrat e tjera në renditje do të luajnë në plejof për një vend tjetër, që gjithashtu dërgon në elitë. Pra, nga Serie B në Serie A inkuadrohen tre ekipe.

Berisha është pjesë e SPAL-it prej vitit 2019, ekip me të cilin për një sezon luajti në kampionatin elitar të Italisë. Ai në Serie A ka luajtur edhe me Atalantan e Lazion, ekip të cilit iu bashkua në verën e vitit 2013 nga Kalmari i Suedisë. Portieri që ka edhe 63 paraqitje me Përfaqësuesen e Shqipërisë ka kontratë me SPAL-in deri në vitin tjetër, kurse vlera e tij në treg është rreth tre milionë euro.