Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, ka thënë se partia e tij e pati akuzuar Romani Iniciativa për orkestrim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit dhe se ajo u bë pjesë e Kuvendit të Kosovës, mirëpo siç ka thënë, me mosprezencën e deputetit Fadil Gashi nga radhët e këtij subjekti politik, të shtunën e pamundësoi votimin e presidentit të Kosovës.
Berisha ka thënë se PZAP-i dhe Gjykata Supreme e legjitimuan votën e pavlefshme të tyre duke bërë që ajo votë të dëmtojë demokracinë e vendit.
”Edhe për kundër të gjitha reagimeve të mia , shumë personalitete politike heshtën, po ashtu edhe institucionet e drejtësisë si PZAP dhe Gjykata Supreme e legjitimuan votën e pa vlefshme duke e lejuar që pikërisht ajo votë të vendos për fatin e Kosovës duke e dëmtuar drejtpërdrejtë demokracinë e vendit! Aq më tepër këto ditë “Romani Iniciativa” u “shpërblye” me një post të zv.ministrit nga Qeveria e Kosovës! Mbesim me shpresën e vetme tek Gjykata Kushtetuese që do e korrigjoj këtë padrejtësi të bërë ndaj nesh dhe Kosovës në përgjithësi”, ka thënë Berisha përmes një komunikate për media.
Ai ka shtuar se do të deponojnë ankesa javën e ardhshme në Gjykatën Kushtetuese ndaj Romani Iniciativa.