Berlini pritet të jetë qendra që do të presë në takim të mërkurën liderët e Kosovës dhe Serbisë, për herë të parë që nga korriku i vitit të shkuar. Me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mblidhen në Berlin ndaras me liderin gjerman, e më pas gjatë ditës pritet një takim i përbashkët i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Takimi Scholz-Kurti do të pasohet nga një konferencë shtypi. Takimi me Kurtin pritet të nisë rreth orës 15:00. Ai me Vuçiqin rreth orës 17:30.
Nga Qeveria e Kosovës kanë konfirmuar të mërkurën për udhëtimin e Kurtit drejt Berlinit për takim me Scholzin. S’është përmendur takimi i mundshëm me Vuçiqin.
“Të dyja takimet do të fokusohen në koordinimin e reagimeve të mëtejshme ndaj luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, në marrëdhëniet politike dhe ekonomike dhe në bashkëpunimin rajonal. Takimet do të shërbejnë gjithashtu për ta mbështetur dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja”, ka shkruar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde të martën duke zbuluar agjendën dhe temat që do të diskutohen në takime.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan në kuadër të dialogut më 19 korrik të vitit të kaluar.
Që nga ajo kohë bisedimet ndërmjet dy shteteve janë zhvilluar në nivel ekipesh negociatore.