Fjalë Kyçe

Besian Mustafa për vrasjen e babait: I mbijetoi luftës, u vra pas luftës

Besian Mustafa për vrasjen e babait: I mbijetoi luftës, u vra pas luftës

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, përballë Jeta Xharrës, ka folur për vrasjen e babait të tij, Xhemajl Mustafës.Zyrtari i LDK-së dhe bashkëpunëtori i afërt i presidentit Ibrahim Rugova, Xhemajl Mustafa, u vra në vitin 2000 në hyrje të ndërtesës ku banonte.Në intervistë, Besian Mustafa theksoi dështimin e drejtësisë tash e 20 vite në zbardhjen e shumë vrasjeve të pasluftës, përfshirë edhe atë të prindit të tij.

“Ajo që shpresoj është zbardhja e gjithë këtyre vrasjeve të pasluftës. Nuk është ndonjë sekret që për këto 20 vite sistemi gjyqësor ka dështuar. Po flas që nga UNMIK-U, EULEX, institucionet vendore, kurse Gjykata Speciale ka mandat deri në dhjetor të vitit 2000 që përfshinë edhe periudhën kur është vrarë babai im. Shpresa e fundit mbetet aty. Thelbi i problemit është që për 20 vite këtij populli kemi dështuar t’i japim drejtësi dhe në mungesë të saj është e mangët të flitet për lirinë e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Ai tutje rrëfeu edhe ditën e vrasjes si dhe intervistimin e familjarëve nga shumë organe të drejtësisë. Kurse sa i përket Gjykatës Speciale, Mustafa tha se nuk janë kontaktuar lidhur me rastin e babait. “Unë kam qenë 16 vjeçar, ne kemi jetuar në Prishtinë gjatë luftës. Sa filluam të mësohemi me lirinë edhe pse ka qenë një gjendje kaotike në fillim, është dëshpëruese se si mbijeton luftën e vritet pas luftës. Kam qenë në shkollë të mesme, në “Sami Frashëri”, ku familjarë kanë ardhur të më njoftojnë për plagosjen e babait, më pas një polic i UNMIK-ut më ka kumtuar lajmin që babai ka vdekur në spital”, tha Besian Mustafa.“Me prokurorë të UNMIK-ut kemi pasur intervista të shumta, pastaj kam qenë në studime në Amerikë, intevistat kanë vazhduar me familjen. Shpresë kemi në çdo institucion të drejtësisë, edhe te Specialja, mua personalisht nuk më kanë kontaktuar por sa kam dijeni as familjen”, ka shtuar tutje Mustafa.