Krerët e shtetit në Kosovë po vazhdojnë të bëjnë thirrje për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian gati një vit më parë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha dje se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e Bashkimit Evropian për heqjen e masave kufizuese që blloku ka vendosur ndaj Kosovës.
“Masat, që janë në fuqi ndaj Kosovës, bien ndesh me përpjekjet e rajonit për integrim të përshpejtuar në BE, sidomos edhe në Planin e Rritjes dhe qëllimin e tij. Në anën tjetër po vazhdojmë me përpjekjet tona që të hapim më tepër mundësi në kuadër të dialogut të reformave me BE-në. Në këtë kontekst, kemi përmbushur të gjitha kërkesat e BE-së për heqjen masave kufizuese dhe këto masa duhet të largohen”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit ministror për integrim evropian.
I menjëhershëm ishte reagimi nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. I pyetur për këtë çështje, ai ka thënë në konferencë për media të enjten se diskutimet për heqjen apo jo të masave ndaj Kosovës janë duke vazhduar teksa shtoi se të njëjtat do të hiqen në momentin kur vendet anëtare të BE-së vendosin.
Stano ka potencuar se ky vendim i takon vendeve anëtare e jo politikanëve të Kosovës.
“Kur BE-ja paraqiti masat kundër Kosovës, shkaku i krizave, vendimeve të njëanshme eskalimet në raport me Serbinë, Bashkimi Evropian ishte i qartë se ato janë të kthyeshme. Kështu që ato do të hiqen në momentin që vendet anëtare vendosin, e përsëris kur vendet anëtare vendosin, e jo kur politikanët e Kosovës vendosin. Pra, kur vendet anëtare vendosin se nuk ka më arsye për t’i mbajtur masat në fuqi. Dhe kjo nuk ka ndodhur deri tani, vendet anëtare vazhdojnë diskutimet dhe këto janë procese të brendshme”, tha Stano.
Ndaj deklaratës së Stanos ka reaguar z ëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Perparim Kryeziu,
Kryeziu përmes një postimi të bërë në platformën “X”, ka bashkëngjitur një fotografi të përplasjes së serbëve me trupat e KFOR-it, duke thënë se BE-ja kishte vendosur masa ndaj Kosovës, duke e fajësuar padrejtësisht për eskalimin e situatës në Veri, dhe ka shtuar edhe një fotografi tjetër të kreut të Komunës së Zveçanit, Ilir Peci, i cili sot është vendosur në objektin e Komunës së Zveçanit i papenguar nga askush.
Sipas zëdhënësit të Qeverisë, de-eskalimi ka ndodhur dhe sipas tij masat duhet të hiqen.
“Rasti është i thjeshtë. BE-ja vendosi masa ndaj Kosovës dhe na fajësoi padrejtësisht për përshkallëzimin që shkaktoi, shikoni foton 1.Foto 2 paraqet kryetarin e Zveçanit duke dalë nga i njëjti objekt pa ndërprerje. De-përshkallëzimi ka ndodhur. Prandaj, masat duhet të hiqen”, ka shkruar Kryeziu në “X”.
Për çështjen e masave ndaj Kosovës, diskutime ka pasur dje edhe presidentja e vendit Vjosa Osmani në takimin e përjavshëm me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Kosova po kërkon heqjen e masave të vendosur nga blloku evropian pas organizimit të votimit për largimin e kryetarëve në veri, që ishte një nga kërkesat e BE-së.
Nisma për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës dështoi pasi nuk u arrit numri i mjaftueshëm i votave pas bojkotimit nga serbët. Vetëm disa qindra qytetarë serbë, nga rreth 45 mijë me të drejtë vote, morën pjesë në referendumin në katër komunat në veri të Kosovës që për synim kishte largimin e kryetarëve shqiptarë.
Nga Bashkimi Evropian vlerësuan se rezultati i votimit në veri nuk i kontribuon shtensionimit të situatës.
Komisioni Evropian kishte vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës një vit më parë për shkak të përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të shtetit.
Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.
Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).