Të hapësh sot një portal me një konkurrencë kaq të egër dhe të pabarabartë të medias, ku vetëm në hapësirën shqiptare kanë shërthyer dhjetëra sosh, të kujton sakrificën e figurës mitologjike greke të Gurit të Sizifit!
Asnjëherë si vitin e kaluar në mediat e shkruara dhe elektronike gjithandej botës, nuk është përmendur togfjalëshi Fake News, apo lajmi i rremë. Është një argument më shumë, për të sprovuar të kundërtën, pra për të nisur betejën për të vërtetën, e cila asnjëherë më shumë se sot nuk i duhet njeriut tonë. Na duhet për të konsoliduar shoqërinë dhe institucionet tona, të cilat po kalojnë nëpër një fazë kritike, ndoshta më të ashprën në kontest të kohës…
Lajmi për të vërtetën na bën më të përgjegjshëm. Na sfidon për një ecje të vështirë dhe në staza më të gjata, duke llogaritur edhe anën financiare, edhe atë profesionale, të cilat tash një kohë janë duke kalëruar në shoqërinë tonë lirshëm pa u sfiduar nga askush.
Në këtë kohë, kur në shoqërinë tonë jovlera prezentohet si vlerë dhe amoraliteti prezentohet si akt moral, rrugëtimi ynë nuk është i lehtë. E sigurojmë lexuesin tonë se nuk do të bëjmë betejë për klikime duke prezentuar një lajm të rremë apo një foto nudo. Beteja jonë në Gazeta Alo, do të jetë lajmi për të vërtetën për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, të cilat në shoqërinë tonë janë shpërfaqur si sëmundjet epidemike.
Në këtë kohë kur si asnjëherë më parë autoriteti i profesionit të gazetarit po kalon nëpër tunelin e errët që nuk i shihet drita, do të përkushtohemi që shoqërisë sonë t’i sjellim më shumë dritë për të vërtetën dhe më shumë shpresë se në Republikën tonë mund të ketë të ardhme, duke zëvendësuar vlerën me jovlerën dhe duke konsoliduar institucionin në vend të frymës deinsituticionaliste që e ka ngulfatur vendin.
Do të hedhim më shumë dritë për të vërtetën në Presidencë e Qeveri, në arsim e shëndetësi, në kulturë e ekonomi, në turizëm dhe siguri, gjithmonë duke qenë kreativ për të vërtetën se çfarë po ndodh me ne dhe me vendin tonë.
Çdo fillim është i vështirë dhe çdo përballje me sfida na detyron të kapërcejmë mbi sfidën tjetër dhe e përsërisim; beteja jonë do të jetë beteja për të vërtetën që i duhet aq shumë njeriut tonë.
Në këtë fillim sfidues, gjykuesi ynë më i madh mbetet lexuesi ynë. Çdo përkrahje e kritikë është e mirëseardhur për ne. Redaksia e Gazata Alo është e vetëdijshme se ekzistenca e saj varet nga dy shtylla kryesore; nga lajmi i vërtetë dhe nga lexuesi që e vlerësojmë të shenjtë, të cilin e mirëpresim të na vlerësoj.