Joe Biden është betuar si presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në një ceremoni të pazakontë për shkak të masave anti-COVID dhe për shkak të masave të sigurisë si pasojë e protestave të dhunshme që ngjanë para disa javësh, Bideni merr udhëheqjen në një kohë të vështirë për vendin.
Bideni, tash 78-vjeçar, fitoi në zgjedhjet e nëntorit ndaj ish-presidentit Donald Trump, që ka refuzuar të pranojë humbjen. Ai madje ka thyer traditën e gjatë amerikane duke refuzuar pjesëmarrjen në inaugurimin e pasuesit.
Presidenti i ri amerikan, Joe Biden, në adresimin e parë para amerikanëve pas betimit si president i SHBA-së, ka thënë se demokracia në SHBA ka triumfuar përballë çdo gjëje.
“Kjo është dita e Amerikës. Kjo është dita e demokracisë. Ditë e historisë dhe shpresës… Vullneti i qytetarëve është dëgjuar. Kemi mësuar sërish se demokracia është e brishtë, por demokracia ka triumfuar”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar protestat e dhunshme, të nxitura nga ish-presidenti Donald Trump, të para disa ditësh në Capitol.
“Kemi mësuar se demokracia është e shenjtë. Tani, në këtë tokë të shenjtë, ku pak ditë më herët dhuna shkundi themelet e Capitolit, ne jemi bashkuar në një komb, nën zotin, të pandashëm, për të kryer transferimin e pushtetit siç kemi bërë që më shumë se dy shekuj”, ka deklaruar ai.
Duke folur për sfidat që e presin administratën e tij, përfshirë luftën e pandemisë dhe rritjen e problemeve racore, Bideni është zotuar se “do të luftojmë dhe ne do të fitojmë” ndaj çdo pengese.