Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka deklaruar se qeveria afgane përjetoi një “kolaps të shpejtë”, pak pas hyrjes së talebanëve në Kabul. Para gazetarëve, Biden theksoi se misioni amerikan në Afganistan “nuk supozohej të ishte ndërtim kombi”, duke shtuar se me ekipin e sigurisë kombëtare e kanë vëzhguar nga afër situatën atje.
Bideni ka mbështetur vendimin për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani, duke thënë se për 20 vjet, SHBA-ja është munduar t’i angazhojë qytetarë afganë për çlirim.
“Ne u dhamë atyre çdo mjet që ata mund të kenë nevojë. Ne ofruam mbështetje ajrore. Ajo që ne nuk mund të sigurojmë është vullneti për të luftuar për të ardhmen e tyre. Do të vazhdojmë t’i mbështesim qytetarët afganë, do bëjmë atë që mundemi”, ka thënë ai të hënën.
“Sa gjenerata të tjera të vajzave edhe djemve të Amerikës do të më kishit dërguar për të luftuar në Afganistan, kur trupat afgane nuk do ta bënin këtë.
Bideni ka kërcënuar talebanët, se nëse sulmojnë zyrtarët amerikanë, do të marrin përgjigje të fuqishme.
“Ua kemi bërë të qartë talebanëve se nëse sulmojnë personelin tonë ose ndërpresin operacionin, përgjigja e SHBA-së do të jetë shpejtë dhe e fuqishme. Jam shumë i trishtuar nga faktet më të cilat përballemi tani, por nuk jam penduar për vendimin tim për t’i dhënë fund luftimeve të SHBA-së në Afganistan”, ka thënë i pari i SHBA-së.