Presidenti amerikan, Joe Biden ka folur sërish rreth situatës në kufirin mes Ukrainës dhe Rusisë.
Gjatë një fjalimi nga Shtëpia e Bardhë, ai tha se Shtetet e Bashkuara janë “të përgatitura pavarësisht se çfarë ndodh” gjatë krizës mes shtetit rus dhe ukrainas.
“Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura, pavarësisht se çfarë ndodh. Ne jemi të gatshëm me diplomaci, të angazhohemi në diplomaci me Rusinë, aleatët dhe partnerët tanë për të përmirësuar stabilitetin dhe sigurinë e tërë Evropës. Dhe ne jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me vendosmëri sulmit rus për Ukrainën, i cili ende është shumë i mundshëm. Gjatë gjithë javëve dhe muajve të fundit kjo ka qenë qasja jonë dhe ashtu do të mbetet”, tha presidenti amerikan.
Ai iu drejtua qytetarëve rusë teksa i ka paralajmëruar se do të ishte një “luftë e përgjakshme, shkatërruese” kundër Ukrainës.
“Për qytetarët e Rusisë, ju nuk jeni armiku ynë”, tha Biden dhe shtoi se “Nuk besoj se ju dëshironi një luftë të përgjakshme shkatërruese kundër Ukrainës, një vendi dhe populli me të cilin ndani lidhje kaq të thella të historisë dhe kulturës familjare”.
Fjalimi vjen pasi Rusia ka grumbulluar më shumë se 130 mijë trupa pranë kufirit të Ukrainës në javët e fundit, sipas vlerësimeve të SHBA-së, duke rritur frikën nga zyrtarët e inteligjencës perëndimore dhe ukrainase se një pushtim mund të jetë i pashmangshëm, transmeton telegrafi.
Rusia njoftoi më herët të martën se disa nga trupat e saj do të kthehen në bazë pas përfundimit të stërvitjeve të fundit, por theksoi se stërvitjet e mëdha ushtarake do të vazhdojnë.
Ministria ruse e mbrojtjes tha se trupat nga distriktet e saj ushtarake jugore dhe perëndimore – pjesë të të cilave janë në kufi me Ukrainën – kishin filluar të kthehen në stacionet e tyre të lindjes, megjithëse njoftimi nuk thoshte saktësisht se ku ishin vendosur ato trupa përgjithmonë, ku kishin qenë duke ushtruar, ose sa prej tyre po tërhiqeshin.
Ambasadorja e SHBA në NATO, Julianne Smith tha të martën se SHBA po “monitoronte situatën” pas njoftimit të trupave të Kremlinit, por shtoi se SHBA “do të duhet të verifikojë” çdo pretendim për një lëvizje të mundshme drejt de-përshkallëzimit nga Rusia.