Fjalë Kyçe

Biden merr dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19

Biden merr dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, ka marrë dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19 të hënën pasdite në Shtëpinë e Bardhë, vetëm disa ditë pasi dozat përforcuese u miratuan nga zyrtarët federalë të shëndetësisë.

“Ne e dimë se për të mposhtur këtë pandemi dhe për të shpëtuar jetë … ne duhet të vaksinojmë njerëz. Pra, ju lutem, ju lutemi bëni gjënë e duhur. Ju lutemi merrni këto vaksina, mund të shpëtojë jetën tuaj dhe mund të shpëtojë jetën e atyre përreth jush.” tha Biden gjatë fjalimit para marrjes së vaksinës.

I pari i SHBA-ve mori dy dozat e para të vaksinës kundër COVID-19 përpara inaugurimit të tij në janar. 78-vjeçari u kualifikua për dozën përforcuese që kur mori vaksinën e tij të dytë Pfizer/BioNTech kundër COVID-19 më shumë se gjashtë muaj më parë dhe është në një grup moshë të përshtatshme.

Presidenti tha se zonja e parë Jill Biden gjithashtu do të merrte dozën e tretë së shpejti, por ajo nuk ishte e pranishme të hënën pasdite, sepse sipas Biden po jepte mësim. Zonja e Parë është profesoreshë në Kolegjin Komunitar të Virxhinias Veriore jashtë Uashingtonit, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

“Dozat përforcuese janë të rëndësishme, por gjëja më e rëndësishme që duhet të bëjmë është të vaksinohen më shumë njerëz,” tha Biden.

Ai vuri në dukje se amerikanët të cilët janë plotësisht të vaksinuar tashmë janë shumë të mbrojtur nga rëndimi i gjendjes në rast të infektimit me COVID-19 dhe u bëri thirrje njerëzve që nuk e kanë marrë ende asnjë dozë të vaksinës ta bëjnë këtë sa më shpejt të jetë e mundur.