Fjalë Kyçe

Bie në prangat e policisë i dyshuari kryesor për plagosjen e trefishtë në Pejë

Bie në prangat e policisë i dyshuari kryesor për plagosjen e trefishtë në Pejë

Është arrestuar 21 vjeçari, Agron Gashi i dyshuar për plagosjen e trefishtë mbrëmë në Pejë.

Gashi ishte shpallur në kërkim si i dyshuar kryesor për plagosjen e mbrëmshme në Pejë.

Lajmin për gazetën online Reporteri.net e ka konfirmuar prokurori i rastit, Ersen Qavolli. Qavolli ka bërë të ditur se 21 vjeçari është arrestuar afër fshatit të lindjes, në Pejë.

Mëngjesin e sotëm, policia kishte arritur të arrestonte një tjetër person, i cili dyshohet se e ka ndihmuar dorasin ndihmuar pas kryerjes së veprës, dhe i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Tre të plagosurit janë trajtuar në QKUK, derisa njëri nga ta, që dyshohet të jetë babai, 51-vjeçari është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Shefi i Intensivës, Shaqir Uka tha për Gazetën Online Reporteri.net se 51-vjeçari i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik të gjatë, nga mbrëmë deri sot në mëngjes.

“Po njëri nga të plagosurit është në Klinikën Intensive duke u trajtuar. Plagët janë në regjionet e poshtme të barkut (abdomenit) që kanë përfshi lëndimet të enëve të mëdha të gjakut, dëmtime të kockës në këmbën e majtë të cilat kanë qenë shumë gjakderdhëse…Pacienti vazhdon të jetë në gjendje shumë të rëndë shëndetësore. Pacienti i është nënshtruar intervenimit kirurgjik i cili ka zgjatur nga mesnata deri në orët e mëngjesit”, tha Uka për Reporteri.net.

Një nga të plagosurit nga të shtënat me armë gjatë natës së mbrëmshme në Pejë, është pjesëtarë i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Bëhet fjalë për J.B. i cili së bashku me dy familjarë të tij mbetën të plagosur të mërkurën në Pejë.

Nga FSK-ja kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se i plagosuri J.B. është pjesëtar i tyre.