Bashkimi Evropian konfirmon se tashmë procesi i dialogut po qëndron i bllokuar.
“Ne gjithmonë bëjmë njoftime për çdo takim që lidhet me dialogun e lehtësuar nga BE. Në këto momente, ne nuk kemi asnjë njoftim për të bërë”, tha Peter Stano.
Stano konfirmon se Miroslav Lajçak është ende emisar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi dhe se tranzicioni i posteve në BE nuk e ka prekur atë.
“Përfaqësuesi special ka një mandat dhe aktualisht mandati i përfaqësuesit special të BE-së për dialogun, Lajçak, po vazhdon akoma dhe kështu do të jetë për muajt në vazhdim. Ai është plotësisht i angazhuar në ndërveprime me një numër partnerësh, si në rajon, ashtu edhe në BE, gjithashtu edhe në skenën ndërkombëtare për të tentuar që t’i lëvizë gjërat përpara dhe të ndihmojë palët në zgjidhjen e çështjeve të njëpasnjëshme, me prioritetin, sigurisht, për zbatimin urgjent të marrëveshjes së Ohrit”.
Ndërkohë nga Franca ka ardhur një mbështetje për Lajçakun për të mbajtur postin e përfaqësuesit special në dialog, siç thuhet, “për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor në kontekstin e aplikimit për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Kjo vjen në një kohë kur Radio Evropa e Lirë raporton se Brukseli është në kërkim të opsioneve për procesin e bisedimeve Prishtinë-Beograd, pas largimit të Lajçakut.
Pasardhësi i tij dhe metodat që do të përdoren, do të përcaktohen nga fituesit e zgjedhjeve europiane të qershorit. Sakaq, kjo media raporton se raporti i përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, për heqjen ose shtimin e masave ndaj Kosovës pritet që të publikohet javën që vjen./A2CNN