Fjalë Kyçe

Bisedimet për një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohen në Beograd

Bisedimet për një marrëveshje mes Rusisë dhe Ukrainës mund të zhvillohen në Beograd

Prej 24 shkurtit Rusia ka nisur sulmet e pandërprera ndaj Ukrainës. Së fundmi në kuadër të vendosjes së një marrëveshje, Rusia duket se si vendtakim për delegacionet shikon edhe Beogradin.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, në një prononcim të dhënë për mediat është shprehur se Rusia do të jetë e gatshme të marrë në konsideratë qytete të tjera për negociata me Ukrainën, duke përfshirë Beogradin.

“Vendi i takimit duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët. Ne mbajtëm tre raunde bisedimesh ballë për ballë në Bjellorusi, pasuar nga një pushim për arsye teknike, ishte e vështirë të takoheshim drejtpërdrejt. Tashmë është arritur një marrëveshje për takimin e Stambollit, e cila pasqyron një pikë gjeografike në të cilën mundësitë e të dyja palëve kanë përkuar. Edhe pse, e përsëris, sigurisht që do të jemi të gatshëm të shqyrtojmë edhe lokacione të tjera, përfshirë Beogradin”, është shprehur Lavrov, përcjell abcnews.

Ndërkohë më herët gjatë ditës, Dmitry Peskov, një zëdhënës i presidentit të Federatës Ruse, tha se negociatat midis delegacioneve ruse dhe ukrainase në Stamboll ka shumë të ngjarë të mbahen nesër, më 29 mars.