Fjalë Kyçe

Bislimi: Kosova mund t’i përfitojë 882 milionë euro nga reformat e dakorduara me BE-në

Bislimi: Kosova mund t’i përfitojë 882 milionë euro nga reformat e dakorduara me BE-në

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka deklaruar se për katër vjetët e ardhshme Bashkimi Evropian i ka ndarë 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku 882 milionë euro mund të jenë për Kosovën kur të plotësohen reformat e dakorduara.

Ai njoftoi të mërkurën se 235 milionë euro janë grante e pjesa tjetër e shumës hua, duke shtuar se këto pritet të investohen në dakordim me Komisionin Evropian. Bislimi njoftoi se po punohet në realizimin e planit që Kosovën e afron pranë inkuadrimit në BE.

“Plan ka për qëllim që vendin tonë ta sjellë më afër Bashkimit Evropian dhe të përshpejtohet procesi i arritjes së reformave, që të shpejtojmë hyrjen në Bashkim Evropian. Për katër vjetët e ardhshme nga Komisioni Evropian janë ndarë edhe 6 miliardë euro për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosova do t’i ketë 882 milionë euro kur i plotësojmë reformat që jemi dakorduar me Komisionin Evropian”, ka deklaruar ai para gazetarëve.

Bislimi shtoi se në mesin e reformave të dakorduara bëjnë pjesë përforcimi i administratës, organizimi i ministrive të linjës, plotësimi i kornizës ligjore të prokurimit, siguria kibernetike, forcimi i zbatimit të kornizës legjislative, të drejtat e komuniteteve joshumicë”, ka thënë ai.

Kurti: Pikat e tjera hapen pasi të vijnë skanerët që na kanë premtuar evropianët e amerikanët

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pikat e tjera kufitare me Serbinë do të hapen për mallrat pasi të vijnë skanerët, që ai thotë se ia kanë premtuar edhe evropianët dhe amerikanët. Por ka shtuar se edhe Kosova ka shprehur gatishmëri t’i blejë.

Në konferencë për media të mërkurën pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se në Merdar, pika e vetme kufitare ku mund të kalojnë mallrat serbe që nga vendimi i djeshëm, po ka kontroll të shtuar.

“Kosova nuk ka masa tregtare, por masa të sigurisë pasi për dy vjet na kanë sjell katër herë ushtrinë në kufi dhe kemi konfiskuar katër herë sasi enorme të armatimit… Grupi i Radoiçiqit mbetet i lirë në Serbi. Mirëpo, sot është mbledhje e CEFTA-s, e cila tashmë ka filluar dhe të hënën është samiti i Berlinit ku duhet të avancohet CEFTA (tregu i përbashkët rajonal). Nuk kemi mund ta hapim kufirin në të gjitha pikat kufitare, ndërkohë që nuk i kemi marrë skanerët që edhe duam t’i blejmë e edhe na kan[ premtuar edhe evropianët edhe amerikanët. Kemi hapur një pik të kufirit me ç’rast është në Merdar, ku terminali doganor është vetëm 300 metra larg vendkalimit kufitar, ku lejohen mallrat, por me kontroll të shtuar. Meqenëse, bëhet fjalë për masa të sigurisë, kurrsesi jo për masa tregtare, siç janë përpjekur disa të na mveshin”, ka thënë ai.