Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka folur më në detaje për takimet e javës së kaluar në Bruksel, me palën serbe.
Përmes një postimi në Facebook, Bislimi tha se në Bruksel kanë pasur fillimisht takime të ndara Kosovë-BE dhe Serbi-BE.
Tutje Bislimi thekosi se në këtë takim mes tjerash kanë identifikuar 11 marrëveshje në të cilat Serbia nuk i ka përmbushur detyrimet e saja.
“Takimi Serbi-BE është mbajtur të mërkurën në mëngjes dhe ka zgjatur afërsisht 3 orë. Pala serbe ka ngritur 5 tema ku ka pretenduar që pala kosovare nuk i ka përmbushur obligimet e saj. Takimi trepalësh Kosovë-Serbi-BE është mbajtur të mërkurën me fillim në ora 13 e 30 dhe ka zgjatur 3 orë e 20 minuta. Pala jonë i ka shtruar sërish vërejtjet tona dhe pas nesh pala serbe ka ngritur 5 shqetësimet e saj, natyrisht me fokus kryesor tek asociacioni. Në përgjigjen time ndaj ‘shqetësimeve’ të ekipit serb, kam adresuar edhe asociacionin”, ka thënë ai.
“Kam përmendur ndërmarrjet që operojnë ilegalisht në Kosovë, si dhe kryetarët e disa komunave të cilët në të njëjtën kohë kanë buruar nga zgjedhjet lokale në Kosovë dhe financohen nga buxheti i Kosovës dhe janë edhe të emëruar si kryetarë të ‘institucioneve të përkohshme’ të Serbisë në Kosovë. Kam konstatuar se këto struktura, Serbia nuk është duke i ngritur pa ndonjë arsye, dhe që ata kanë si synim legalizimin e të njëjtave përmes asociacionit. Poashtu kam shtuar se vetëm atëherë kur në Kosovë të mos funksionojë asnjë strukturë paralele serbe; kur nuk do ketë financim ilegal nga Serbia dhe kur askush në Evropë të mos e kontestojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, mund të ulemi dhe diskutojmë seriozisht për modalitetet më të përshtatshme për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të minoriteteve, natyrisht, nëse edhe vetë minoritet e konsiderojnë këtë të nevojshme, duke përmendur faktin që pas hedhjes poshtë të asociacionit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, asnjë serb i Kosovës nuk protestoi por vetëm Beogradi reagoi”, thotë tutje Bislimi.