Fjalë Kyçe

Bislimi për masat e BE-së: Ka paqartësi brenda shteteve anëtare

Bislimi për masat e BE-së: Ka paqartësi brenda shteteve anëtare

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Kosova ka kryer obligimet të cilat i ishin dhënë për të larguar masat e vendosura nga Bashkimi Evropian kundër saj.

Ai ka thënë se ka paqartësi te vendet anëtare rreth situatës në Kosovë, por se ka edhe presion nga të tjera që të hiqen.

“Masat ndaj Kosovës, janë vendosur në fund të majit nga Komisioni Evropian dhe janë rezultat i eskalimit që ka ndodhur më 29 maj në veri kur protestuesit sulmuan KFOR-in, gazetarët e qytetarët. Në letrën që është na dërguar thuhet se masat janë të përkohshme, të kthyeshme, e të bazuara në proces kredibil të deeskalimit të situatës në veri. Kemi pasur takim me Lajçakun në Bratisllavë se çka nënkuptojnë masat dhe kemi ndërtuar dokument katërpalësh që ka të bëjë me prezencën e Policisë brenda objekteve komunale, vlerësimi i situatës së rrezikut, dhe ne kemi përmbushur obligimet tona që burojnë nga ky dokument. Me gjasë ka paqartësi brenda vendeve anëtare se cili është mekanizmi për largimin e masave. Por, ka frustrim e presion edhe brenda vendeve anëtare se si ka mundësi që Kosova është nën masa vetëm sepse ka dërguar katër kryetarë komunash në zyrat e tyre, ndërsa Serbia nuk ka masa edhe për shkak të agresionit terrorist që ka bërë”, ka thënë ai.

Bislimi ka shtuar se më 30 janar në Prishtinë do të vijë dikush nga Brukseli e se temë diskutimi do të jenë edhe masat.

“Masat e BE-së janë të kufizuara vetëm në takime të nivelit të lartë. Takimet po vazhdojnë, këtë të marte do të kemi prapë vizitë nga dikush nga Brukseli në Prishtinë”, ka thënë ai.