Fjalë Kyçe

Bislimi rendit “të pasaktat” e Bajramit

Bislimi rendit “të pasaktat” e Bajramit

Ish-ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka deklaruar se ministrja aktuale, Hykmete Bajrami, ka dhënë informacione të pasakta në emisionin Desku të KOHËS, të mërkurën në mbrëmje.

Sipas tij, Bajrami ka dhënë informatë të pasaktë se mbi 70 për qind të pagesave nga pakoja emergjente janë kryer në kohën e saj. Bislimi ka thënë se gjatë periudhës sa Vetëvendosje udhëhiqte me Qeverinë, ishin ndarë rreth 70 milionë euro nga 122 milionët e shpenzuara deri tash.

Në pikën e dytë, Bislimi ka thënë se Qeveria Hoti ka treguar “zero vullnet”, “zero kreativitet” e “zero angazhim” në periudhën e përballjes me pandeminë.

“Ministrja konstatoi me të drejtë se përveç implementimit të pakos fiskale emergjente ka ZERO shpenzime të dizajnuara nga qeveria Hoti në përballjen me pandeminë. Kjo dëshmon edhe tri ‘ZERO’ tjera të mëdha të qeverisë: ZERO vullnet (sepse e ka pas obligim të transferojë mjetet), ZERO kreativitet (nuk ka asnjë masë apo politikë të re), dhe ZERO angazhim (sepse vetëm janë ekzekutuar pagesat, meqë përpunimi dhe aprovimi i aplikimeve është bërë më herët)”, ka shkruar ai në Facebook.

Bislimi tutje ka komentuar deklarimet e tjera të Bajramit lidhur me implementimin e pakos së rimëkëmbjes, që ende s’ka marrë miratimin në Kuvend.

“Ministrja tha se nuk kanë mundur të fillojnë ekzekutimin apo implementimin e pakos së rimëkëmbjes, për shkak se ende nuk ka kaluar në kuvend projektligji për rimëkëmbje i kësaj qeverie. Kjo pikë është shumë me rëndësi sepse shpërfaqë një masë të madhe të filozofisë qeverisëse të Hotit. Ajo e deklaroi vetë se Qeveria Kurti e ka filluar implementimin e pakos fiskale emergjente edhe pse parlamenti kishte refuzuar ta trajtojë këtë pako në seancë parlamentare. Do me thënë e pranoi që në rast se brengosesh për ekonominë, dhe e sheh si urgjencë nevojën e intervenimit, atëherë fakti që pakoja nuk ka kaluar në kuvend nuk do duhej të ishte pengesë për të filluar implementimin e saj. Qeveria e tanishme i ka të gjithë mekanizmat e nevojshme për ta ndihmuar ekonominë: buxheti është rishikuar dhe aprovuar, marrëveshjet financiare janë miratuar (dmth. mjetet e negociuara mund të futen në përdorim), dhe po ashtu ka kaluar edhe kërkesa për tejkalim të deficitit buxhetor. Andaj ku qëndron problemi që nuk po i ndihmohet ekonomisë. Ministrja gjithashtu e demantoi veten kur tha se sot jemi takuar me kryeministrin dhe kemi vendosur që të fusim në treg 110 milionë euro (pak më vonë tha 111), duke pranuar indirekt se mosvotimi i ligjit nuk qenka pengesë nëse qeveria ka vizion, vullnet dhe gatishmëri. Dhe njëherësh tregoi që qeveria e cila edhe gjykatën kushtetuese e kishte manipuluar duke i thënë se ka 84 vota mbrapa, nuk po arrin të bindë as edhe 41 deputetë të vetë partive në koalicion t’ia mbështesin instrumentin kryesor të ndikimit në ekonomi, atë të rimëkëmbjes ekonomike”, ka shtuar ai.

Sipas Bislimit, Bajrami nuk ka thënë të vërtetën për “huamarrjet e brendshme dhe të jashtme për të cilat tha se i kanë negociuar”.

“Nga gjithë këto shuma që ajo përmendi, ZERO euro janë të negociuara nga kjo qeveri, e të gjitha janë negociuar nga Qeveria Kurti”, ka deklaruar nënkryetari i Vetëvendosjes.

Bislimi ka komentuar edhe deklaratën e Bajramit që tha se pas idesë për kompensim të tërheqjes së 10 për qind të fondeve nga Trusti kanë kuptuar se ajo ishte shkelje kushtetuese për “pabarazi sociale”. Sipas Bislimit, Bajrami “për këtë e demantoi veten”.

“Tha që kanë premtuar shumë për 10% e trustit, përfshirë edhe kompensimin e tërheqjes nga ana e shtetit, por që janë tërhequr nga kjo ide kur e kanë kuptuar (lexo: mësuar) se po e shkelin kushtetutën, duke promovuar pabarazinë, për arsye se sipas saj ata që kanë më shumë kursime në trust do të përfitonin më shumë. Dhe shtoi se sipas saj tërheqja e parave nga trusti nuk është problematike meqë është në baza vullnetare (me çka reflektoi mosdije elementare të natyrës së funksionimit të skemave pensionale. Sikur këto skema të ishin vullnetare, trusti deri më sot nuk do i kishte as edhe 500 milionë në llogaritë e saj, prandaj edhe kursimet janë obligative). Dhe tha qe kështu veprojnë apo kanë vepruar edhe shumë vende tjera, por kur u pyet më specifikisht nuk arriti ta përmend as edhe një shtet të vetëm që ka vepruar kështu. Mbase për arsye se nuk ekziston asnjë rast i tillë. Dhe sa i përket pabarazisë, e demantoi veten kur pesë minuta më vonë tha se do shpërndajnë në ekonomi, 110 milionë euro për secilin punëtorë pa marrë parasysh a ka nevojë biznesi për ndihmesë apo jo. A ka më shumë promovim të pabarazisë, se sa të u japësh njësoj mjete financiare si bizneseve që nuk e kanë rrezikuar profitin gjatë pandemisë, si atyre që janë në prag të falimentimit?”

Në fund, Bislimi ka shtuar se ideja e shfrytëzimit të 100 milionë eurove të Agjencionit Kosovar të Privatizimit “është plaçkitje e gjeneratave të ardhshme, të cilat mbesin si pa asetin (ndërmarrjen e privatizuar) ashtu edhe pa kundërvlerën (paranë e gatshme)”.