Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të hyjë në koalicion paszgjedhor me asnjë parti opozitare, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-Nismën.
Në një deklaratë në Facebook, Bislimi theksoi se qeveria aktuale është e para që e ka përfunduar me sukses mandatin e saj dhe se synon të vazhdojë qeverisjen edhe për një mandat tjetër.
Ai u shpreh se qytetarët duhet të kenë qartësi të plotë para votimeve të 9 shkurtit dhe përmendi disa pika kryesore mbi qëndrimet e Vetëvendosjes për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, në mandatin e ardhshëm, Vetëvendosje do të vazhdojë bashkëqeverisjen me partnerët aktualë, GUXO dhe ALTERNATIVA.
Po ashtu, ai sqaroi se nuk do të ketë nevojë dhe as interes nga VV për të përfshirë ndonjë parti opozitare në qeverisje, duke paralajmëruar votuesit që të mos bien pre e mashtrimeve nga subjektet që pretendojnë ndryshe.
Bislimi gjithashtu theksoi se Vetëvendosje do të vazhdojë bashkëpunimin me partitë që përfaqësojnë komunitetet joshumicë, duke ftuar qytetarët e nacionaliteteve serbe, boshnjake, turke, rome, egjiptiane dhe ashkalie të mbështesin këto subjekte.
Ndërkohë, ai rikonfirmoi qëndrimin e prerë të Vetëvendosjes ndaj Listës Srpska, duke deklaruar se nuk do të ketë bashkëqeverisje me këtë subjekt apo me satelitët e saj politikë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mbështesin partnerët e qeverisë dhe të ndëshkojnë me votë ata që, sipas tij, ia dorëzojnë mandatet Listës Srpska pas zgjedhjeve.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt 2024.