Mijëra punëtorë në sektorin privat u janë ndalur nga paga kontributet pensionale, e po ashtu ato kontribute raportohen në Trust, por me vite të tëra nuk janë paguar. Qytetarët e Kosovës kanë nisur të aplikojnë online për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Fondi i Kursimeve Pensionale.
Aplikimi po bëhet përmes disa linqeve të krijuara nga ky Fond, që njihet edhe ndryshe si Trust, pasi një faqe e veçantë, e dedikuar për tërheqjen e 10 përqindëshit, ishte cak i sulmeve kibernetike.
Shumë qytetarë që janë regjistruar tani në Trust kanë vërejtur se u mungojnë paratë, rrjedhimisht po shohin që punëdhënësi i tyre ua ka deklaruar mjetet, por nuk ua ka paguar, shkruan lajmi.net. Trust-i nuk ka të dhëna se sa është shifra e kontributeve të deklaruara, por që nuk janë paguar, shkruan lajmi.net.
Jeton Demi, zëdhënës në këtë institucion tha për lajmi.net se Administratës Tatimore të Kosovës është kompetentë për këtë punë. “Mbledhja dhe raportimi i kontributeve pensionale i është caktuar me ligj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Andaj ju lutemi që për këto të dhëna t’i drejtoheni ATK-së”, tha zëdhënësi i Trust-it
Lajmi.net në dy javët e fundit ka adresuar dy herë pyetje në ATK lidhur më atë se çka ka ndërmarrë ky institucion ndaj subjekteve që ua kanë deklaruar paratë në trust punëtorëve, por nuk ua kanë paguar. Por, ATK-ja nuk ka pasur përgjigje në këtë pyetje.
M.B, qytetar nga Prishtina thotë se punon që disa vite, por pohon se një punëdhënës akoma nuk ia ka paguar një pjesë të kontributeve, ndonëse ia ka deklaruar në Trust.
“Kam punuar në një firmë para pesë viteve, nuk është më rendësi, kam parë në Trust që i ka deklaruar kontributet, por një pjesë nuk e ka paguar. E keqja është se ai i ndalte paratë e kontributeve. Nuk ke çka e denoncon se firma është mbyllur”, thotë ai për lajmi.net, teksa tregon edhe dëshminë e tij të kontributeve të deklaruara, por të pa paguara.