Fjalë Kyçe

Biznesi i seksit, ja si funksionon prapa masazheve të Prishtinës

Biznesi i seksit, ja si funksionon prapa masazheve të Prishtinës

Ora ka kaluar mesnatën, por kjo është koha kur e përfundon orarin e punës Egzona*. Ajo bën punën e masazheres në njërin prej lokaleve të këtij lloji në Prishtinë.

Egzona, 24 vjeçare, nuk e kishte menduar në të kaluarën se ndonjëherë do të bënte këtë punë.

Ajo pati krejtësisht plane tjera për të ardhmen.Nga qyteti i Pejës erdhi në Prishtinë për të filluar studimet në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin e Arkitekturës.

Por, pas një kohe të shkurtër i ndërpreu mësimet pasi filloi të punonte.

“Fillimisht kam punuar në një market në sektorin e enëve. Pas një problemi shëndetësor, e lash punën dhe tash që 9 muaj punoj si masazhere”, thotë ajo teksa kujton kohën kur kishte filluar të punonte për herë të parë pas ardhjes në kryeqytet.

Nga kontakti me disa shoqe, e kishte kuptuar që puna e masazhareve në Prishtinë paguhet më mirë se një punë në një market, andaj edhe vendosi të fillojë punën.

E pranon që puna që bën aktualisht nuk është e lehtë, ndërsa rrëfen edhe momentet e sikletshme që pati në ditët e para të punës si masazhere në njërin prej lokaleve të tilla në kryeqytet.

“Ka pasë raste në fillim kur kam dal nga dhoma tu kajtë, nuk isha mësu me mu drejtu njerëzit me fjalë që mu drejtofshin, për shembull duke më pyet a ka naj sen më shumë se masazh”, thotë ajo.

“Në fillim më vijke marre me i prekë personat, me ua bë masazhen, po dikur u mësova.

”Egzona nuk i kishte treguar askujt se po punonte si masazhere, ndërsa kur mori pagën e parë, vendosi që t’i tregojë nënës së vet.

“Në familje e di veç nana që punoj si masazhere edhe sa herë që kthehem në mbrëmje, m’thotë ndrroje këtë punë”, tregon ajo teksa i vërehet dëshpërimi në fytyrë.

“Nuk e dinë as shoqëria as nuk kam qejf me ditë kërkush, diqysh m’vjen marre mi kallxu dikujt që punoj në sallon të masazhes”, rrëfen ajo.

Arsyeja pse Egzona heziton t’i tregojë ndokujt për punën që bën është se në disa prej këtyre lokaleve në Prishtinë ushtrohet veprimtari e kundërligjshme.

Puna e dyshimtë e masazhave çon në mbylljen e tyre.

Në fund të vitit 2016 Policia e Kosovës pas një aksioni në Prishtinë pati mbyllur 30 lokale që ofronin masazhë.

Aksioni kishte për qëllim luftimin dhe identifikimin e viktimave të mundshme të trafikimit, ndërsa në këto sallone masazhi Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, në asistencë edhe të inspektorëve të ATK-së, inspektorëve komunalë dhe inspektorëve të punës hasen edhe në parregullsi të tjera.

Edhe pas dy viteve, qendrat e masazhit në komunën e Prishtinës mbesin problematike për veprimtarinë që ushtrojnë, shkruan Kallxo.com.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të siguruara nga BIRN, numri i lokaleve të mbyllura që ofrojnë masazh në kryeqytet është 42, prej tyre 10 janë mbyllur për shkak të përfshirjes së tyre në vepra penale si trafikim me njerëz, mundësimit në prostitucion dhe ofrimi i lokaleve për prostitucion.

Ndërsa të tjerat, sipas forcave të rendit, janë mbyllur përkohësisht për shkak të parregullsive që janë gjetur gjatë inspektimeve.

Të dhënat e Policisë së Kosovës flasin për parregullsi dhe për një numër arrestimesh, nën dyshimin e verës penale të trafikimit me njerëz, mundësimit në prostitucion dhe ofrimi i lokaleve për prostitucion.

“Numri i personave që janë arrestuar nën dyshimin për kryerje e veprës penale trafikim me njerëz është 4, ndërsa për veprën penale të mundësimit në prostitucion dhe ofrimi i lokaleve në prostitucion është 31 persona te dyshuar”, thotë Policia në një përgjigje.

Sipas PK-së, të gjithë të arrestuarit janë shtetas të Republikës së Kosovës.