Samiti i dytë i Diasporës i mbajtur në Tiranë ishte një mundësi e shkëlqyer për personalitete të diasporës shqiptare që të jepnin kontributin dhe idetë e tyre nga eksperienca e marrë në vendet ku ata jetojnë në dobi të zhvillimit të Shqipërisë.
Besnik Kelmendi, është një shqiptar i cili prej më shumë se 25 vitesh jeton në Gjermani. Ai është aktivist dhe sot është një nga zërat më të dëgjuar në forcën politike më të madhe në Gjermani CDU. Si zyrtar në Ministrinë e Brendshme të landit të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë (NRW) ai është mjaft aktiv në përfshirjen dhe integrimin e bashkatdhetarëve në këtë vend.
Besnik Kelmendi shkoi në moshën 12 vjeçare në Gjermani si refugjat me familjen e tij. Ai mësoi shpejt atje gjuhën dhe u integrua në shoqërinë gjermane. Në vitin 2002 e mori edhe shtetësinë gjermane. Kelmendi e filloi karrierën e tij të suksesshme qysh në vitet e rinisë.
Pas mbarimit të shkollës në vitin 1995 e filloi kualifikimin profesional si Kaufman për menaxhimit të byros në Dhomën për Industri dhe Tregëti (IHK) në Essen. Pas përfundimit të shkollimit profesional filloi punë në REWE ku e vazhdoi kualifikimin dhe në vitin 1999 ai bëhet udhëheqës i njërës prej filialeve të REWE-së në Essen. Në vitin 2002 ai kaloi në LIDL si udhëheqës i njërës prej filialeve më të mëdha të kësaj firme në Essen. Në këtë kohë ai e vazhdoi specializimin e tij në këtë fushe.
Nga marsi i vitit të kaluar Kelmendi është zyrtar i Ministrisë së Brendshme të landin të Rajnës Veriore dhe Vestfalisë (NRW). Në pranverën e vitit 2014 ai u bë anëtar i CDU-së në Essen. Në të njëjtin vit ai u bë pjesë e kryesisë “Migrantët e Unionit” në Kreisverband të CDU-së në Essen.
Në dhjetor të vitit 2016 ai ishte pjesë e Kongresit të XIX federal të CDU-së si njëri nga bashkëpuntorët organizativ të tij, me ç’rast kancelarja dr. Angela Merkel u rizgjodh si kandidate për kancelare e CDU-së. Nga shkurti i vitit 2017 Besnik Kelmendi është anëtar i kryesisë së CDU-së në Essen-Überruhr si sekretar protokolli dhe nga qershori i po të njëjtit vit ai bëhet edhe anëtar i kryesisë së CDU-së për Ruhrhalbinsel.
Më 21 shkurt 2017 u zgjodh si delegat për Konferencën e Qarkut dhe për Konferencën e të Distriktit të qytetit Essen. Veç kësaj Besnik Kelmendi është edhe kryetar i “Unionit i Integrimit Gjermano-Shqiptar e.V.” dhe zëvendëskryetar i Federatës së Shoqatave Shqiptare në Gjermani. Kelmendi merr pjesë edhe më tej në Tryezën e Rrumbullakët të qytetit të Essenit si dhe në “Forumin Politik Ruhr e. V”.
Kelmendi së fundmi ishte edhe në Samitin e Diasporës ku mbajti fjalën e tij në lidhje me votën për emigrantët. Në një intervistë për ATSH-në, Kelmendi thekson se vota e diasporës është diçka e nevojshme dhe që mund të realizohet lehtësisht.
Ai thekson se përshtypjet nga Samiti janë jashtëzakonisht pozitive. “Pjesëmarrja ime në samit më dha mundësinë jo vetëm që të njihem më afër me punën serioze që bën shteti shqiptar për t’u afruar me diasporën e tij, me shqiptarët kudo në botë, duke iu afruar atyre një mundësi kontakti intim me vendin e origjinës, por prania ime në këtë Samit më dha edhe mundësinë tjetër për të takuar miq e veprimtarë shqiptarë, të njohur e të panjohur më parë, nga shtete të ndryshme dhe të shkëmbej me ta mendime dhe përvoja, me një fjalë përshtypjet e mia nuk ka si të jenë më të mira”, u shpreh ai.
Në lidhje me votën e Diasporës për të cilën foli në Samit, Kelmendi thekson se, “Unë në panel fola për dy çështje: për mundësinë e votimit të shqiptarëve jashtë dhe për vendet e rezervuara për diasporën në parlament. Sa i përket vendeve të rezervuara, unë them se më parë ne duhet të përfshijmë ekspertë shqiptarë në diasporë në grupe pune pranë institucioneve të shtetit shqiptar, në Qeveri dhe në Kuvend. Kjo është një punë lehtësisht e realizueshme dhe shumë e dobishme për shtetin tonë. Këtu nuk kemi nevojë të vëmë kurrfarë kufizimi numrash të atyre që do të tërhiqeshin në bashkëpunim. Për sa i përket përfshirjes së diasporës në zgjedhjet e përgjithshme them se shqiptarët janë të vonuar, por është mirë që kjo çështje është shtruar si problem tani që mundësitë e mërgimtarëve shqiptarë për të realizuar këtë të drejtë janë gjithsesi më të mëdha. Edhe vetë diaspora në ndër kohë ka ndryshuar në cilësi. Më ajo nuk përbëhet nga refugjatë, por nga qytetarë të mirë integruar në jetën ekonomike dhe politike në vendet përkatëse, kështu që ata tani sigurisht kanë edhe çka të thonë e çka të japin. Prej vitesh është shtruar ky problem se a duhet të marrin pjesë në zgjedhje shqiptarët që jetojnë jashtë apo jo. Përgjigja ka qenë gjithmonë pozitive, por deri më tani kjo punë kaq elementare për demokracinë shqiptare nuk është rregulluar me ligj. Askush nuk e kundërshton të drejtën e diasporës për votim, por, në anën tjetër, për më tepër se një çerekshekulli nuk është bërë asgjë. Unë mendoj se është koha e fundit që çështja e votës së diasporës të rregullohet me ligj. Mendoj se realizimi i të drejtës së tyre për votim është një gjë që duhet të realizohet sa më parë, qysh në zgjedhjet e ardhshme”.
Në lidhje me mundësinë e realizimit të votës së diasporës shqiptare, Kelmendi nënvizon se, “në ditët e sotme procesi i votimit në shtetet europiane, perëndimore ku është e përqendruar diaspora shqiptare do të mund të zhvillohej si në Shqipëri, pa pothuajse asnjë problem. Shqiptarët në Greqi, Itali, Gjermani, etj., janë mirë të organizuar dhe shumë të interesuar për të dhënë përmes votës kontributin e tyre për mbarëvajtjen e punëve në atdhe në drejtimin e duhur dhe ky drejtim është i njohur: Integrimi i Shqipërisë në BE. Unë mendoj se vota shqiptare që vjen nga jashtë do të përbënte një freski për klimën e rënduar politike në vend, ajo do të sillte një frymë të re bashkëpunimi që nuk e pranon konfliktualitetin irracional që e ka sunduar skenën tonë politike në këto vite të vështira të tranzicionit të tejzgjatur. Besoj fort se vota e diasporës do t’u shërbente politikave që e afrojnë Shqipëri në me Europën e civilizuar dhe kurrsesi politikave retrograde që krijojnë barriera artificiale në rrugën e rikthimit të plotë të Shqipërisë në familjen e saj politike dhe kulturore, në atdheun e saj shpirtëror. Përfshirja e diasporës në vendimmarrje do të ishte një risi me rrjedhoja largvajtëse të shëndetshme për jetën politike në vend. Shqipëria ishte deri para tre deceniesh një vend tmerrësisht i izoluar, tani punët kanë ndryshuar, por jo gjithçka është në rregull. Patologjitë e jetës politike tek ne i shpjegon deri në njëfarë mase edhe kjo e kaluar traumatike e izolimit”.
“Nga përvoja kosovare e votimit përmes postës, them se votimi duhet bërë direkt në kutitë e votimit ashtu siç bëhet në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë, pa vonuar të bëhet edhe numërimi i votave. Estonia është mjaft kreative në përfshirjen e diasporës së saj në votim. Ajo lejon votimin edhe përmes një sms-je, por për ne shqiptarët mendoj se kjo formë e dhënies së votës nuk është shumë e përshtatshme. Mundësitë e keqpërdorimit të votës do të ishin shumë të mëdha, ndaj dhe duhet një votim tradicional, hedhja e votës në kutitë fizike të votimit. Sa i përket anës praktike të procesit të votimit, mendoj se nuk ka asnjë arsye për t’u shqetësuar. Ta marrim si shembull Gjermaninë. Në këtë shtet, votimi mund të bëhet në kushte krejt normale,sepse shteti gjerman me dashamirësi do të na e jepte përkrahjen që na duhet. Këtu në Gjermani ekziston përvoja me emigracionet e shteteve të ndryshme, të cilat n ë mënyrë të rregullt marrin pjesë në zgjedhjet e tyre kombëtare. Votimi mund të bëhet në objektet e ambasadave dhe konsullatave shqiptare, në shoqata, por edhe në objekte të tjera publike të vendit mikpritës, siç janë shkollat e objekte të ndryshme publike. E rëndësishme është që çdo shqiptar që është në posedim të pasaportës shqiptare të ketë mundësinë për dhënien e votës së tij, me një fjalë të përfshihen në procesin e votimit të gjithë që duan të votojnë”, shton ai.
Në lidhje me përshtypjet që i la Shqipëria, ai shprehet se, “Shqipëria për ne shqiptarët jashtë, sidomos për ne kosovarët, ka një domethënie të madhe, është e shenjtë. Ne si mërgimtarë kemi emocione të fuqishme sa herë që kthehemi në atdhe, këtë herë këto emocione ishin më të fuqishme, sepse bëhej fjalë për një ftesë të veçantë: Atdheu kërkonte ndihmën tonë për të krijuar një rrugë bashkëpunimi të përhershëm me shqiptarët jashtë. Ishim në Lezhën te varri i kryeheroit tonë Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, pastaj në Shëngjin, në Golem e në vende të tjera. Mendoj se ne shqiptarët jashtë jemi në të njëjtën kohë edhe një lloj ambasadorësh sui generis të turizmit shqiptar. Unë me disa miq të mi në Tiranë erdha një ditë para fillimit të punës së Samitit, kështu që pata më shumë kohë për ta vizituar bregdetin shqiptar. Bëmë shumë fotografi e video, të cilat pastaj, pas kthimit tonë në Gjermani, i vumë në rrjetet sociale dhe ua dërguam edhe miqve tanë nëpër adresat private. Natyrisht këtë gjë unë e kam bërë edhe më parë. Në vitin 2017, nëse nuk gaboj në muajin korrik, isha me familjen time në Durrës. Nga bisedat që kisha pasur edhe më herët, por edhe gjatë kohës sa isha në pushim në bregdetin shqiptar, kryebashkiaku i qytetit të Essenit, zoti Thomas Kufen vendosi të vijë në Shqipëri në kuadër të një turneu të tij në disa vende të Mesdheut. Ai qëndroi katër ditë këtu dhe iku në Itali e pastaj në Izrael me përshtypjet më të mira. Pas kthimit në Gjermani ai i bëri një jehonë shumë pozitive qëndrimit të tij si turist në Shqipëri, ndër të tjera duke shkruar me entuziazëm për Shqipërinë në faqen e tij zyrtare në Facebook, por edhe në gazetën e madhe “Westdeutsche Allgemeine Zeitung”. Ai i këshillonte gjermanët që të shkojnë në Shq ipëri dhe të shmangin vendet jostabile të Mesdheut si Egjipti e Turqia. Në Shqipëri, shkruante Thomas Kufen, për turistët ka përkujdesje shëndetësore falas, kurse vendasit janë tepër miqësorë me vizitorët e huaj. E vetmja gjë që atij nuk i kishte pëlqyer ishte puna e mbeturinave që hidheshin kudo, edhe pse shteti ishte kujdesur edhe për këtë punë, përderisa kishte vënë kudo koshat, mirëpo shprehia e një pjese të turistëve linte ende shumë për të dëshiruar. Thomas Kufen në Kongresin XXXI të CDU-së, pra në kongresin e fundit që u mbajt në Hamburg është zgjedhur anëtar i kryesisë qendrore të CDU-së”.
Në lidhje me komunitetin shqiptar në Gjermani, Kelmendi thekson se, “komuniteti ynë ka qenë shembull gjithmonë. Kosova ka pasur një emigracion të organizuar qysh në vitet 1970-80. Qysh atëherë institucionet gjermane që merreshin me emigrantët e kanë vlerësuar lartë komunitetin shqiptar. Në vitet 1990, gjatë kohës së luftërave në ish-Jugosllavi, 60-70 mijë gastarbeitrëve shqiptarë që punonin në Gjermani dhe që jetonin atje kryesisht pa familjet e tyre, iu shtua edhe një numër tepër i madh i refugjatëve kosovarë, në pjesën më të madhe të rinj që kishin dezertuar nga ushtria jugosllave. Në këtë periudhë turbulente ka pasur edhe fenomene negative, por tani në ndërkohë gjithçka lëviz në binarët normalë dhe mund të thuhet pa asnjë dyshim që komuniteti shqiptar është komuniteti i huaj më mirë i integruar se çdo emigracion tjetër që jeton në Gjermani. Ne shqiptarët vinim nga një kulturë që shquhet pà «r tolerancën e saj fetare, kështu që nuk kishim asnjë vështirësi për t’u integruar në shoqërinë gjermane. Nëse i shikojmë statistikat që i publikon çdo vit Agjencia për Punë, atëherë shohim se shqiptarët janë shumë të zellshëm dhe punëtorë. Shkalla e papunësisë së tyre është më e ulëta nga të gjitha komunitetet e tjera, madje dukshëm më e ulët. Përqindja e të papunëve shqiptarë është shumë afër me shifrën e të papunëve gjermanë. Nëse nuk gaboj, shkalla e papunësisë së vendasve ishte diku te 8%, ajo e shqiptarëve 8,5%, e kroatëve mbi 11%, e turqve mbi 15%, kurse e libanezëve 96%. Shqiptarët nuk bëhen barrë për arkat sociale të shtetit gjerman. Ata Gjermaninë e shohin si një vend që iu jep punë dhe këtë shans assesi nuk duan ta humbin. Shqiptarët janë të integruar mirë në të gjitha fushat e veprimtarisë politike, shoqërore, kulturore e ekonomike. Në të gjitha fushat ka shqiptarë që shquhen në profesi onet e tyre”.
Në lidhje me vendimin që pret Shqipëria në qershor në lidhje me çeljen e negociatave për anëtarësim në BE dhe atmosferën që është në Gjermani në lidhje me këtë vendim, Kelmendi theksoi se, “Gjermania është për çeljen e negociatave. Në Gjermani ka pasur gjithmonë një qëndrim dashamirës ndaj Shqipërisë, por tani që Qeveria shqiptare po ndjek një kurs të vendosur të reformave, edhe përkundër faktit që situata në Shqipëri vazhdon të mbetet e tensionuar për shkak të kontestimit absolut nga ana e opozitës shqiptare të shtetit që punon për të çuar me çdo kusht deri në fund reformat, në Gjermani nuk ka ndryshuar asgjë në përkrahjen ndaj shtetit shqiptar, ndaj dhe vendimi i Gjermanisë do të jetë për çeljen e negociatave. Unë mendoj se në Berlin ka një konsensus për sa i përket vlerësimit të vullnetit shqiptar për të kryer reforma fondamentale në institucionet tona shtetërore. Nga këto refor ma nuk do të varet vetëm hapja e procesit të negociatave, pro edhe gjithçka tjetër, përfshirë këtu edhe ekonominë shqiptare, e cila lëngon ende për shkak të politikave korruptive në të kaluarën. Mendoj se shqiptarët nuk kanë qenë kurrë në një pozitë kaq të favorshme si sot. Unë këtu nuk flas si optimist që do të ngushëllojë shqiptarët shpresë shumë, po të frikësuar, por si realist që sheh mundësi tepër të mëdha për shqiptarët në vitet e ardhshme”.
Sa i përket investitorëve gjermanë, dhe a shihet në Gjermani një interes për të investuar në Shqipëri, Kelmendi shprhet se, “gjermanët janë të interesuar për të investuar në Shqipëri. Për këtë nuk ka asnjë dyshim, mirëpo deri më tani në Shqipëri nuk ka pasur një siguri të mjaftueshme juridike për këto investime dhe, dihet, që kapitali nuk hyn kurrë në ato shtete që nuk e ofrojnë këtë kusht themelor sigurie për të. Mendoj se reforma në drejtësi në Shqipëri do të krijojnë një ambient miqësor për investitorët e interesuar. Dhe të tillë ka, sidomos në ndërmarrjet e mesme e të vogla. Kompanitë e mëdha, sidomos ato në fushën e energjisë së ripërtëritshme janë të interesuara për të investuar në Shqipëri, duke sjellë atje teknologjitë më moderne. Puna e investimeve i ka dy anë, nuk mjafton vetëm interesi gjerman, duhet edhe ne shqiptarët të nxisim kompanitë gjermane për të sjellë kapitalin e ty re në Shqipëri, duke i bindur ato se në Shqipëri jo vetëm që ka një popullsi që ka interes të madh për punë, por edhe se kjo forcë punëtore është e kualifikuar. Në sferën e shëndetësisë firma të ndryshme gjermane kanë investuar ndër të tjera edhe në shkollimin e personelit mjekësor, që vitin tjetër do të ketë shansin e punësimit të Gjermani. Puna është se edhe ne në shkollat tona profesionale të përgatisim kuadër për të cilin janë të interesuara ndërmarrjet gjermane, të cilat do të vinin në Shqipëri për të investuar. Para disa kohësh kam pasur rastin të takoj një biznesmen gjerman që kishte qenë në Shqipëri si turist dhe në tregun e Lushnjës i kishte bërë përshtypje cilësia e ullinjve dhe e agrumeve shqiptare, të cilat arrijnë edhe në tregun gjerman, por jo nga Shqipëria, po përmes Greqisë. Ky ndërmarrës ishte i interesuar që të importojë direkt nga Shqipëria këto produkte dhe pas përpunimit në firmën e ti j, t’ia ofrojë konsumatorit gjerman. Kjo dikujt mund t’i duket një gjë e vogël, por s’është aspak ashtu. Ne duhet të punojmë në shumë drejtime dhe të mos përqendrohemi vetëm në kompanitë e mëdha. Pas avancimit në rrugën drejt integrimit Shqipëria do të gëzojë një varg lehtësirash në raport me tregjet europiane, kështu që edhe investorët detyrimisht do të kenë një çasje tjetër ndaj Shqipërisë.
Në lidhje me Shqipërinë si destinacion turistik të preferuar nga gjermanët Kelmendi shton se, “numri i turistëve gjermanë po shtohet nga viti në vit. Vitin që shkoi numri i vizitorëve gjermanë e kalonte shifrën e 100.000-shit. E di që shumë prej tyre janë shqiptarë me pasaportë gjermane, por edhe numri i gjermanëve nuk ka qenë i vogël. Pastaj, këtë gjë disa nuk e shohin apo nuk duan ta kuptojnë, çdo shqiptar që vjen në Shqipëri kur kthehet nga pushimet bën propagandë turistike në favor të Shqipërisë te fqinjët, miqtë e të njohurit e tij, kjo është një reklamë kapilare për të cilën nuk paguhet asnjë cent dhe, çka është më e rëndësishmja, është tepër efektive. Unë e përmenda rastin e kryebashkiakut të Essenit, z. Thomas Kufen, i cili, një Zot e di a do të kishte ardhur ndonjëherë në Shqipëri sikur të mos ishte njohur përmes meje për bregdetin mahnitës shqiptar. Ai erdhi dhe u kthye i entuziazmuar n ë Gjermani. Duke qenë personalitet publik me ndikim të madh, shumë gjermanë nuk do të kenë më asnjë rezervë për të vizituar Shqipërinë. Mediat elektronike dhe të shtypura gjermane botojnë vazhdimisht raporte e shkrime pozitive për Shqipërinë si destinacion turistik. Unë besoj se këtë vit do të kemi më shumë turistë gjermanë se në çdo vit tjetër më parë. Kompanitë e mëdha turistike gjermane LTU, etj., e kanë futur në katalogjet e tyre Sarandën, Durrësin e qytete të tjera shqiptare në bregdet, kështu që pritet një vërshim i turistëve nga Gjermania. Shumë aeroporte gjermane ofrojnë deri edhe tri herë në javë fluturime për në Tiranë qysh tani. Përfundimi është logjik: Po të mos kishte interes, nuk do të kishte kaq shumë fluturime”. /ATSH