Fjalë Kyçe

Blerim Krasniqi – ylli kosovar që po rritet te Wil në Zvicër

Blerim Krasniqi – ylli kosovar që po rritet te Wil në Zvicër

Një tjetër talent premtues nga Kosova është identifikuar në Zvicër.

Në skuadrën zvicerane, Wil, po rritet talenti kosovar, Blerim Krasniqi, i cili aktualisht është 11 vjeçar.

Djaloshi kosovar është me prejardhje nga Drenovci i Malishevës, dhe aktualisht mban shiritin e kapitenit te skuadra e Wil.

Krasniqi pritet që në të ardhmen të jetë një mesfushor klasi, bazuar në potencialin e tij, e që shpresat janë që këtë potencial ai ta shfrytëzojë.

Duke u aktivizuar si mesfushor, 11 vjeçari me prejardhje nga Malisheva ka arritur të shënojë 17 gola në 32 ndeshje, përcjell lajmi.net.

Nga viti i ardhshëm, lojtarin pritet ta transferojë në radhët e veta akademia e Zurich, që sigurisht qëndron në nivele më të mira se ajo e Wil.

Një fakt interesant rreth Blerimit të vogël është se ai nisi aventurën në sport duke u marrë fillimisht me karate, por më vonë gjeti vetën e tij në futboll, njësoj sikur bënte ylli i madh i futbollit botëror, Zlatan Ibrahimovic.

Është herët që të tërhiqen paralele të tilla, por sigurisht se për një djalosh nga Malisheva e Kosovës, shpresojmë që të prek nivelet e suedezit.

Blerim Krasniqi është emri për t’u mbajtur mend – lojtari që ka potencial të prek majat botërore të futbollit.