Ish-kryesuesi i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Blerim Rexha, është shprehur i habitur pse Komisioni Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë e ftoi për intervistim, duke marrë parasysh se kishte qenë në krye të Bordit të AKP-së për periudhë të shkurtër kohore.
Deklarimi i Rexhës para deputetëve të enjten bëri bujë në të gjitha mediat. Ai u shpreh se në Kosovë ka pasur shitje të pesëdhjetë hektarëve të tokës shoqërore me vetëm nga një euro për ari.
“Ishte pak befasi ftesa duke e ditur që kam qenë vetëm 84 ditë si kryesues i bordit me dy mbledhje dite dhe vendimet ishin publike. Por ishte vendim i tyre dhe e konsideroj obligim ligjor. Sikurse e kam konsideruar edhe atëherë debatin për AKP-në, për modelin e privatizimit, për shfrytëzimin e fondeve, për rritjen e transparencës dhe pa modesti po e them nëse Kuvendi merr rezolutë për më shumë transparencë s’di si të kuptohet ndryshe pos si e tillë. Në këtë frymë e kam bërë veprimtarinë time dhe kam shprehur pakënaqësinë time, dhe këto lajme janë jashtëzakonisht të vjetra, mbi 7 vite e jam habitur me këtë bujë të madhe që bënë lajmet por thjesht e lexova deklaratën time të dorëheqjes që e kam dhënë para 7 vjetësh. Është publike. Dhe asgjë e re”, ka thënë Rexha në “Deskun” e KOHËS.
Ai më tej ka thënë se nga askush s’kishte pasur thirrje për dorëheqjen dhe shprehjen e pakënaqësive për AKP-në.