Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu Kodra ka reaguar ndaj letrës të kryeministrit në largim, Albin Kurti drejtuar zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mike Pence, ku është ankuar se i dërguari special për dialogun Kosovë Serbi, Richard Grenell është keqinformuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, Deliu Kodra ka shkruar se Kurti ka humbur arsyen, përcjell Gazeta Insajderi.
“Kryeministri i shkarkuar ka humbur totalisht arsyen. Një kryeministër i përgjegjshëm e i përkushtuar, do t’u shkruante letër liderëve botëror, të cilët kanë ndarë mbi 7 miliardë euro, për t’u kërkuar vëmendjen e tyre në ndihmë të Kosovës në këtë fazë të ballafaqimit me pandeminë. Por, siç e kemi ditur, e tash po e dëshmon vetë me veprimet e tij, Kurti ka veç një hall – mbajtjen me çdo çmim të pushtetit!”, ka shkruar Deliu Kodra.
Sipas deputetes së PDK-së ky veprim i kryeministrit në largim është duke na kushtuar shumë keq si Kosovë.
“Ky obsesion i tij me pushtetin po na kushton në të gjitha dimesionet e jetës dhe mirëqenies në Kosovë! Sot na e mori fytyrën me ankesën drejtuar zëvendës/presidentit amerikan, Mike Pence, për një kapriçio personale të tij me Presidentin e vendit”, ka shkruar deputetja, Deliu Kodra.
Tutje këto veprime të Kurtit ajo i ka quajtur kapriço të brendshme politike.
“Kapriçiot e tij të brendshme politike nuk janë shqetësim global. Tekefundit, vetë u ka kërkuar amerikanëve “të mos përzihen në punët tona të brendshme”. Sidoqoftë, këto janë veprimet e tij të fundit…”, ka përfunduar Blerta Deliu Kodra.