Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u shpreh mirënjohës për partneritetin me Shqipërinë, gjatë një takimi me të rinj te Piramida në Tiranë, ku u shoqërua edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Blinken arriti në Shqipëri më herët gjatë ditës, dhe deri më tani ka zhvilluar disa takime me krerë shtetërorë dhe personalitete të tjera.
Kryediplomati amerikan falënderoi Shqipërinë për strehimin e afër 2.500 afganëve, që ikën nga Afganistani pas rikthimit në pushtet të talibanëve gushtin e vitit 2020.
Ai u takua më herët gjatë ditës me disa prej këtyre familjeve afgane, që po presin të shkojnë në SHBA.
“Udhëtimi i tyre nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e Shqipërisë. Nuk është vetëm fakti që po i prisni ata, por edhe mënyra se si po e bëni këtë”, tha Blinken.
Blinken tha se gjatë mandatit të tij në krye të diplomacisë amerikane ka gjetur një partner të besueshëm te kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke theksuar se ai ka qenë “pranë nesh dhe vështirësitë e kemi tejkaluar së bashku”.
Vizita e kryediplomatit amerikan po vlerësohet nga njohës të diplomacisë si historike dhe me rëndësi të madhe, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në Aeroportin e Tiranës, paraditen e së enjtes Blinken u prit nga ministri i Jashtëm shqiptar, Igli Hasani.
“Partneriteti strategjik dhe bashkëpunimi i Shqipërisë me SHBA-në, aleaten tonë të kamotshme, vetëm do të rritet, i ndërtuar mbi një themel të fortë mes shteteve dhe popujve tanë”, shkroi Hasani në X, që më herët njihej si Twitter.
Kjo është vizita e parë e kryediplomatit amerikan në Tiranë dhe Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se ajo do të fokusohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.
Gjatë kësaj vizite, Blinken pritet edhe të riafirmojë raportet me aleaten kyçe të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor dhe aleaten që mbështet luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus.
Sipas zëvendësndihmës sekretarjes amerikanetë Shtetit për Evropëm dhe Euroazinë, Yuri Kim, vizita në Tiranë përkon me fillimin e shekullit të dytë të raporteve SHBA-Shqipëri.
“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.
Blinken nisi vizitën në Shqipëri duke takuar stafin e Ambasadës amerikane në Tiranë, dhe është takuar me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj.
Ai po ashtu është takuar me familje afgane, të strehuar në Shqipëri.
Më vonë gjatë ditës është planifikuar edhe një takim zyrtar me kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë edhe një konferencë të përbashkët për media.
Rama tha më herët se vizita e zyrtarit të lartë amerikan tregon se shteti shqiptar është ngritur në “një tjetër nivel” në pozicionimin e tij ndërkombëtar.
“Në fund të fundit, Shqipëria nuk është as një vend i madh, as një fuqi ushtarake. Por, më sa duket është vend i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara, për faktin se në këtë kohë kaq të trazuar dhe me kaq shumë ngarkesë për sekretarin e shtetit dhe angazhimin e SHBA-së në botë ai e sheh të nevojshëm dhe e gjen kohën për të ndaluar në Shqipëri, patjetër që nuk është pak”, tha Rama më 14 shkurt.
Blinken do të marrë pjesë një ceremoni për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi për programin e këmbimit të studentëve Fulbright dhe në nënshkrimin e një memorandumi kundër manipulimit informativ nga një shtet i huaj. Kryediplomati amerikan do të takohet edhe me udhëheqësit e institucioneve të drejtësisë.
Gjatë vizitës së Blinkenit, ka të ngjarë që të adresohen edhe tensionet mes Kosovës dhe Serbisë, raporton Associated Press.
Në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka pasur përparim të ngadaltë, ndërkaq kohë pas kohe ka pasur incidente të dhunshme që kanë rritur frikën për paqëndrueshmëri. SHBA-ja dhe BE-ja kanë shprehur shqetësimet lidhur me vendimin e fundit të Kosovës për të ndaluar dinarin serb për kryerjen e pagesave. Kjo monedhë, që nga paslufta, përdoret në zonat ku serbët jetojnë në Kosovë.
Vizita e Blinkenit në Shqipëri, “e rëndësishme për gjithë rajonin”
Për ish-ministrin e Mbrojtjes në Shqipëri, Fatmir Mediu, vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, nuk është e rëndësishme vetëm për Tiranën, por për mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Është një vizitë jashtëzakonisht e rëndësishme, duke pasur parasysh kontekstin e të gjitha problemeve të sigurisë, në mënyrë të veçantë me zhvillimet në Ukrainë, por edhe në Ballkan, shqetësimin e shprehur edhe nga ish-presidenti Bill Clinton, për mundësinë e zhvendosjes së një konflikti në rajonin e Ballkanit. [Është vizitë e rëndësishme për shkak të] problemeve të rajonit të shprehura edhe nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s [Jens Stoltenberg], dhe këto e bëjnë këtë vizitë të rëndësishme në kohë dhe në problematikë, aq më tepër që pas Tiranës shkon në Munih, ku në fokus do të jenë edhe problemet e Ballkanit”, tha Mediu për Radion Evropa e Lirë.
Shqipëria po përgatitet që në fund të muajit shkurt të organizojë një samit për mbështetjen e Ukrainës, e cila po përballet me pushtimin rus, dhe Mediu tha se kjo vizitë merr rëndësi të veçantë edhe në këtë kontekst.
Vizita e Blinken në Tiranë është përshëndetur nga opozita, por në heshtje është lënë nga grupimi i “Rithemelimit” brenda Partisë Demokratike, ku bëjnë pjesë deputetët që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha të shpallur “non grata” nga SHBA-ja, gjatë mandatit të Blinkenit.
“Amerika e ka përcaktuar Shqipërinë si partnere strategjike, pavarësisht kush është në qeveri sot apo nesër”, tha ai.
Ndërkaq, për ligjëruesin e marrëdhënieve ndërkombëtar në Shqipëri, Dritan Hoti, vizita e Blinkenit ka rëndësi në disa dimensione, si në rrafshin e diplomacisë ndërkombëtare, në atë të sigurisë në rajon, por edhe për investimet e SHBA-së në fushën e gjyqësorit.
Ai tha se kjo vizitë historike për nga përmbajtja, por po ashtu duhet të shihet edhe si një shfaqje e diplomacisë realiste.
“Vizita e sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, sot në Tiranë kombinon disa elemente në vetvete. E para ka të bëjë me dimensionin strategjik, duke qenë se është shefi i diplomacisë së një superfuqie më të fortë, ende më të fortë në glob, dhe ne po jetojmë në një kohë kur sistemi ndërkombëtar nuk po ndërton dot, nuk po krijohet dot një legjitimitet ndërmjet rajoneve të ndryshme të botës që do t’i jepte një ekuilibër – madje si rrjedhojë e luftës Rusi-Ukrainë tendencat fragmentarizuese, rivalizuese në rajone të caktuara të botës edhe janë përshpejtuar dhe janë përthelluar – diplomacia amerikane, pra si pjesë të strategjisë së saj po projekton ndërtimin e kordonëve të Aleancës në këto rajone të ndryshme të globit”, tha Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, Blinken po viziton Shqipërinë një vend proamerikan, që luan rol “ekuilibrues paqësor” sa i përket raporteve ndërkombëtare në Ballkanin Perëndimor, dhe kjo vizitë e kryediplomatit amerikan është pjesë e skemës së diplomacisë së Uashingtonit, që sipas Hotit, nënkupton evoluimin e raporteve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.
“Vizita e Blinkenit ngërthen, kombinon, elementin strategjik por ndërlidhet edhe me rëndësinë specifike që Shtetet e Bashkuara i bënë Shqipërisë, faktorit shqiptar në këtë rajon të Mesdheut”, tha ai.
Kjo është vizita e parë e Antony Blinken në Shqipëri dhe e gjashta e një sekretari amerikan të Shtetit. Në vitin 1991, Shqipërinë e vizitoi James Baker, Madeleine Albright më 2000, Colin Powell më 2003, Hillary Clinton më 2012 dhe John Kerry në vitin 2016.
Vizita e Blinkenit në Shqipëri është në kuadër të një udhëtimi dyditor. Ai pas Shqipërisë do të marrë pjesë Konferencën e Sigurisë së Munihut, së bashku me nënpresidentin amerikane Kamala Harris, e cila do të mbajë fjalimin kryesor.
Në Gjermani, Blinken pritet të përqendrohet në mbështetjen e Uashingtonit për Ukrainën, shtet që po përballet me pushtimin rus, si dhe pritet të diskutojë për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tensionet e rritura në Ngushticën e Tajvanit.