Zëdhënësi i Federatës së Boksit të Kosovës, Latif Demolli i cili së bashku me 4 boksierë dhe dy trajnerë po qëndrojnë tash e 16 ditë në karantinë në qendrën e konvikteve në Prishtinë, ka thënë se po shkojnë në shtëpi.
“Testi i fundit sot dhe po shkojmë në shtëpi”, ka shkruar Demolli në “Facebook”, përcjellë disa video ku shihen zyrtarët e boksit duke i marrë mostrat para se ta marrin përgjigjen përfundimtare.
Ekspedita e boksit kosovar u vendos në karantinë pas rikthimit nga Londra ku ishin pjesëmarrës në eliminatoret për Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.
Ishte biznesmeni Behgjet Pacolli i cili angazhoi aeroplanin privat të tij për t’i kthyer boksierët në shtëpi e të cilët fillimisht u vendosën në karantinë për t’u siguruar që nuk janë prekur nga koronavirusi.