Bordi i Radiotelevizionit të Kosovës ka kërkuar nga drejtori i përgjithshëm i RTK-së që të marrë masa të menjëhershme ndëshkimore ndaj zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, Mentor Shala, për gjuhën fyese që ky përdori në rrjete sociale ndaj deputetes Doarsa Kica-Xhelili.
Ky ka qenë shkaku që Bordi i RTK-së mbajti mbledhjen e jashtëzakonshme të premten. Pas mbledhjes, në një reagim për mediat, Bordi ka thënë se e dënon gjuhën e Shalës, ndërsa ka kërkuar që Shala të ndëshkohet në bazë të rregullores dhe Ligjit të RTK-së.
“Bordi i RTK-së kërkon nga çdo punonjës i RTK-së të përmbahet nga komentet publike, sepse çdo komunikim joparimor e dëmton veprimtarinë e mediumit publik”, thuhet në reagimin e Bordit të RTK-së.
Ndërkaq drejtori Ngadhnjim Kastrati s’ka pranuar të deklarohet se çfarë masa do të merren ndaj Shalës.
Shala të premten përdori gjuhë fyese ndaj Kica-Xhelilit, pasi ajo një ditë më herët në Interaktiv të KTV-së deklaroi se RTK-ja ndërpreu transmetimin direkt të një komisioni parlamentar kur në të u përmend emri i Shalës.