Kryeministri Boris Johnson foli me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy këtë pasdite, bën të ditur qeveria britanike. Kryeministri pyeti “për vlerësimin e fundit të Zelensky në lidhje me kërkesat ushtarake të Ukrainës përballë agresionit rus”, tha një zëdhënës i Downing Street.
Johnson gjithashtu “përcaktoi synimin e tij për të çuar përpara interesat e Ukrainës në takimet e kësaj jave të NATO-s dhe G7 dhe në angazhimin e ardhshëm dypalësh me aleatët kryesorë”.
“Kryeministri nënvizoi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të punuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë për të koordinuar mbështetjen për forcimin e vetëmbrojtjes së Ukrainës. Udhëheqësit diskutuan gjithashtu negociatat në vazhdim dhe kryeministri ripohoi mbështetjen e tij të vendosur për pozicionin e Ukrainës”, citon deklarata.
“Të dy liderët theksuan rëndësinë e vazhdueshme të sanksioneve në ushtrimin e presionit ndaj Putinit dhe ata dënuan sulmet e neveritshme ndaj civilëve të pafajshëm, pas bombardimeve të tmerrshme në Mariupol.
“Kryeministri shprehu admirimin e tij për trimërinë e Ukrainës dhe ishte i qartë se Mbretëria e Bashkuar ishte e përkushtuar për të rritur mbështetjen ushtarake, ekonomike dhe diplomatike në mënyrë që të ndihmonte në përfundimin e këtij konflikti të tmerrshëm, përcjell abcnews.
“Të dy liderët ranë dakord të rrisin komunikimin e tyre të drejtpërdrejtë edhe më tej në ditët në vijim”, përfundon deklarata.