Përfaqësuesi i Lartë i BE-s për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, në takimet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti përsëriti se serbët e Kosovës duhet të kthehen menjëherë në institucionet e Kosovës dhe të rifillojnë detyrat e tyre, dhe se Kosova duhet të harmonizojë veprimet e saj në lidhje me targat dhe të fillojë negociatat për themelimin e Asociacionit.
“Këto zotime, të ndërmarra në kuadër të dialogut, mbeten të vlefshme dhe të detyrueshme”, ka thënë Borrell, sipas një njoftimi për shtyp të BE-së të premten.
Gjatë takimeve ai tha gjithashtu se të dyja palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive, të tregojnë gatishmëri për kompromis dhe të respektojnë detyrimet e tyre në dialog, njoftoi shërbimi për shtyp i Bashkimit Evropian.
Siç u tha, qëllimi i takimeve ishte zgjidhja e sfidave kritike në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe se bisedimet u fokusuan në ndihmën e palëve në gjetjen e zgjidhjeve urgjentisht të nevojshme për krizën aktuale dhe ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në terren.
“Mjedisi aktual gjeopolitik e bën edhe më të domosdoshme tejkalimin e trashëgimisë të së kaluarës dhe angazhimin në negociata kuptimplote, për atë që është me të vërtetë e rëndësishme për Kosovën, Serbinë, popullin e tyre dhe gjithë rajonin – dhe ky është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet dy palëve, si një faktor kyç për përparimin në rrugën e tyre evropiane”, njoftohet të ketë thënë Borrell.
Ai shtoi se është e rëndësishme që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm dhe retorikë nxitëse.
“Me luftën në Ukrainë, Evropa nuk mund të ketë një konflikt tjetër në tokën e saj. Është përgjegjësi e palëve ta shmangin atë për hir të popullit të tyre, i cili do të ketë më shumë për të humbur nëse sjellja aktuale e përshkallëzuar nuk ndryshon. Dështimi për të përmbushur zotimet dhe për të de-përshkallëzuar shpejt do të ketë pasoja të dëmshme para së gjithash, mbi popullin e Kosovës dhe Serbisë, për të ardhmen evropiane të të dyja palëve dhe besueshmërinë e tyre në sytë e partnerëve evropianë dhe ndërkombëtarë”, ka përfunduar Borrell.