Fjalë Kyçe

Bota po ‘shkrin’ nga i nxehti, temperaturat shënojnë mbi 50 gradë Celsius

Bota po ‘shkrin’ nga i nxehti, temperaturat shënojnë mbi 50 gradë Celsius

Bota duhet t’i shtojë përgatitjet për nxehtësi ekstreme, e cila mund ta kaplojë planetin më shpejt dhe më fort se sa ishte parashikuar më parë, transmeton Gazeta Express.

Kjo u paralajmërua nga një grup i shkencëtarëve kryesorë të klimës pas temperaturave të larta frikësuese të regjistruara në hemisferën veriore – Kanada, Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Javën e kaluar, e ashtuquajtura “kupolë nxehtësie” theu rekordet e temperaturës në disa vende me mbi 50 gradë Celsius, dhe kjo rritje do të konsiderohej e pamundur dy javë më parë, thanë ekspertët.

Kjo ka ngritur shqetësime se klima ka kaluar një prag të rrezikshëm. Analizat e para të valës së nxehtësisë, botuar të mërkurën, zbuluan se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga veprimet njerëzore i bënë kushtet ekstreme të motit të paktën 150 herë më të mundshme, raportoi The Guardian, transmeton Express.

Temperaturat po rriten në të gjithë botën si rezultat i emetimeve të dëmshme të gazit. Shkencëtarët kanë parashikuar prej kohësh thyerjen e rekordeve të nxehtësisë me intensitet të shtuar.

Por autorët e studimit të ri thanë se vala e fundit e nxehtësisë tejkaloi edhe skenarin më të keq të modeleve të klimës, duke i detyruar ata ta rishikojnë kuptimin e tyre mbi valët e nxehtësisë dhe ta konsiderojnë mundësinë që pjesë të tjera të botës të pësojnë goditje të ngjashme të temperaturës në hemisferën veriore.

“Kjo është deri tani kërcimi më i madh në rekord (temperaturash) që kam parë ndonjëherë. Ne patjetër nuk duhet të presim që valët e nxehtësisë të sillen si në të kaluarën, për sa i përket asaj për të cilën duhet të përgatitemi”, tha Dr. Frederick Otto nga Universiteti i Oksfordit dhe një nga themeluesit e grupit WWA (World Weather Attribution), i cili bëri një studim të ri.

Fokusi kryesor tani është nëse zonat e prekura thjesht ishin të pafat ose sistemi i klimës e kaloi pragun dhe hyri në një fazë të re në të cilën një sasi e vogël e ngrohjes globale mund të shkaktojë një rritje më të shpejtë të temperaturave ekstreme.

Një autor tjetër studimi, Gert Jan van Oldenborg nga Instituti Meteorologjik Mbretëror Hollandez, tha se deri vitin e kaluar, modelet standarde të klimës supozonin se ekzistonte një kufi i sipërm mbi valët e nxehtësisë që lëvizin rreth dy herë më shpejt se tendencat e gjera globale të nxehtësisë.

“Ne menduam se e dinim se çfarë po ndodhte. Dhe pastaj erdhi kjo valë e nxehtësisë që ishte shumë mbi kufirin e sipërm. Me njohuritë e vitit të kaluar ishte e pamundur. Ishte e habitshme dhe tronditëse. Tani ne jemi më pak të sigurt për valën e nxehtësisë sesa që ishim. Ne ishim shumë të shqetësuar për mundësinë që kjo të ndodhte kudo, por thjesht nuk e dimë akoma”, tha ai.

Nxehtësia me një rekord prej 49.6 gradësh që i goditi Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë në një gjerësi të ngjashme si Britania e Madhe, ku temperatura ishte e moderuar, mori mbi 500 jetë e shkaktoi zjarre katastrofike.

Shkencëtarët theksojnë se tendenca të ngjashme mund të gjenden në shumë pjesë të tjera të botës, megjithëse ato shpesh kalojnë pa u vërejtur, veçanërisht në Afrikën nën-Sahariane, e cila nuk ka shumë stacione monitorimi dhe merr shumë më pak vëmendje mediatike sesa Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja. Pjesë të Siberisë dhe Pakistanit gjithashtu kohët e fundit kanë pësuar valë të nxehtësisë jashtëzakonisht të forta. Ditët më të nxehta ndonjëherë në qershor u regjistruan gjithashtu muajin e kaluar në Helsinki, Moskë dhe Estoni.

Grupi WWA më parë gjurmoi lidhjen e fortë midis krizës së klimës dhe ngjarjeve të tjera ekstreme, duke përfshirë valën e nxehtësisë në Siberi 2020, zjarret në Australi 2019-2020, valët e nxehtësisë në Evropë 2018 e 2019 dhe stuhinë tropikale Imelda që e goditi Teksasin më 2019

Më shumë sesa stuhitë dhe përmbytjet, Otto thotë se emetimet njerëzore kanë ndikimin më të qartë dhe shkatërrues në valët e nxehtësisë, të cilat tani arrijnë nivele që nuk përfaqësohen në mënyrë adekuate në modelet aktuale kompjuterike.

“Ajo që të gjithë duhet ta marrin nga ky studim është se si ndikimi i ndryshimit të klimës manifestohet në një masë të madhe sot në intensitetin e fortë dhe frekuencën e valëve të nxehtësisë”, tha Otto.