Banka Qendrore e Kosovës ka dalë të hënën me njoftim rreth periudhës tranzitore për implementimin e Rregullores për operacione me para të gatshme.
Sipas planit të publikuar, brenda një periudhe tremujore do të mundësohet informimi dhe bashkëpunimi i plotë me institucionet bankare për operacione me para të gatshme në valutën euro.
Disa ndër pikat e përmendura në këtë plan janë funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë, lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare e pezullimi i përkohshëm i tarifës së BQK-së, e aplikueshme për hapjen e zyrave.
“BQK-ja në kuadër të veprimeve të saj për zbatim të lehtësuar të efekteve të rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara, njofton opinionin publik lidhur me Planin me veprime shtesë të cilat pritet të realizohen në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet tjera financiare: Funksionalizimi i linjës së telefonit pa pagesë (0800-222-55), e-mailit për ankesa, si dhe numrit të dedikuar në ‘viber’. Lehtësimi i kushteve për hapjen e llogarive bankare, në raste specifike në komunat me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore, me mundësi të kompletimit të dokumenteve (dëshmi të adresës) edhe pas hapjes dhe aktivizimit të llogarisë. Pezullimi i përkohshëm i tarifës të BQK-së e aplikueshme për hapje të degëve/zyrave, për të inkurajuar institucionet financiare jobankare (me theks për këmbimore) të licencuara për hapjen e zyrave në Komunat e Kosovës me shumicë serbe, veçanërisht në katër komunat veriore”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Gjtihashtu do të bëhet vendosja e disa bankomatëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, apo vetëshërbime financiare, lehtësimi i procesit të këmbimit të dinarëve me euro nga institucionet financiare dhe këmbimoret e licencuara.