Brenda këtij viti pritet të përfundojë ndërtimi i objektit të ri të Klinikës Emergjente në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur për Radio Kosovën Albatrit Matoshi, këshilltari i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili. Sipas tij, klinika me pajisjet moderne, do të plotësojë nevojat e shumta të qytetarëve që kërkojnë trajtime emergjente.
Klinika Emergjente në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës brenda një viti trajton mbi 60 mijë pacientë, prandaj ishte paraqitur nevoja për ndërtimin e një klinike të re.
Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha për Radio Kosovën se brenda vitit pritet që Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar t’i shtohet edhe klinika emergjente e re, si klinika më moderne në vend. Sipas tij, kjo klinikë, me një hapësirë më të gjerë, do t’i plotësojë nevojat e qytetarëve, të cilët kërkojnë trajtim mjekësor brenda një viti.
“Me lëshimin e klinikës së re emergjente kjo klinikë pritet që të jetë në dispozicion të shumë qytetarëve të cilët kanë nevoja të tilla. Po ashtu, kjo klinikë do të jetë e pajisur me aparatura moderne dhe staf të mirë trajnuar që të jenë në dispozicion të qytetarëve tanë 24 orë në ditë”, tha Matoshi.
Ndërkaq, drejtori i Klinikës Emergjente në SHSKUK, Basri Lenjani, tha se Klinika Emergjente e re do të ketë shtatë departamente.
“Departamentin e Diagnostikës – Laboratorike – Radiologjike, Departamenti i Triazhimit, Departamenti i Reanimacionit, Departamenti për goditje në zemër, Departamenti për goditje në tru, Departamenti për lëndimet neuro – sipnale, Departamenti për traumatologji, Departamenti për qendrën nacionale të djegieve dhe departamenti për toksikologji”, tha Lenjani.
Klinika Emergjente e re do të ketë 20 salla operative. Lenjani ka vënë në dukje se krahas kësaj, kanë kërkuar të bëhen mbi 60 specializime të kuadrit të ri, si staf i nevojshëm për klinikën e re.