Pushtimi i shpejt i talebanëve në Afganistan pas një lufte 20 vjeçare që kushtoi qindra mijëra jetë, ka ngritur një pyetje për aleatin më të fortë evropian të Shteteve të Bashkuara: A është kthyer Amerika vërtet ashtu siç premtoi Presidenti Joe Biden?
Britania ka frikë nga kthimi i talebanëve dhe vakumi i lënë nga tërheqja kaotike e NATO-s do të lejojë militantët nga Al Kaeda dhe Shteti Islamik të fitojnë një bazë në Afganistan, vetëm 20 vjet pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sekretari Britanik i Mbrojtjes Ben Wallace e hodhi marrëveshjen e tërheqjes nga Doha të vitit 2020 të arritur nga administrata e Presidentit të SHBA-së Donald Trump si një “marrëveshje të kalbur”. Wallace tha se vendimi i Biden për të lënë Afganistanin ishte një gabim që kishte mundësuar që talebanët të rishfaqeshin në pushtet.
Pyetje dhe emocione të tilla – Wallace ishte në prag lotësh në një intervistë – është e rrallë për aleatin më të afërt evropian të Uashingtonit, i cili i ka qëndruar pranë Shteteve të Bashkuara në pothuajse çdo konflikt të madh që nga Lufta e Dytë Botërore, përveç Vietnamit.
Pas trazirave të presidencës së Trump, Biden ka premtuar vazhdimisht se “Amerika është kthyer”. Disa diplomatë britanikë po vënë në dyshim jo vetëm atë vlerësim, por edhe implikimet për sigurinë kombëtare afatgjatë, raporton Reuters.
“A është kthyer Amerika apo ia ka kthyer shpinën?” tha një zyrtar britanik, duke folur në kushte anonimiteti. “Duket shumë sikur amerikanët të kenë shkuar në shtëpi në një mënyrë mjaft Trumpiane – të nxituar, kaotikë dhe poshtërues”.
Burimet e sigurisë perëndimore kanë frikë se Al Kaeda, themeluesi i së cilës Osama bin Laden ishte strehuar nga talebanët para 11 Shtatorit, mund të rimarrë një terren në Afganistan brenda disa muajsh. Një skenar i tillë, thonë ata, do të kërcënonte si Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe Perëndimin më të gjerë, përcjell Klankosova.tv.
Diplomatët britanikë e krahasuan shkallën e poshtërimit të Perëndimit me rënien e Saigonit në vitin 1975 që përfundoi Luftën e Vietnamit, ose me Krizën e Suezit në 1956, një gabim strategjik që konfirmoi humbjen e fuqisë perandorake të Britanisë.
Fotografitë e një helikopteri që evakuonte diplomatët nga ambasada amerikane në Kabul u krahasuan me ato të vitit 1975 që tregonin një helikopter që nxirrte diplomatë nga çatia e ambasadës amerikane në Saigon.