Britania do të duhet të vendosë në mes kafeneve të hapura ose lejimin e hapjes së shkollave nëse dëshiron të mbajë numrat e infektimeve me koronavirus të ulëta, ka thënë për mediat britanike një anëtar i grupit këshillues për Covid-19 në qeveri.
“Duhet t’i mbyllim disa aktivitete tjera në mënyrë që të mund t’i hapim shkollat. Duhet t’i japim prioritet njërës ose tjetrës. A mendojmë se kafenetë janë më të rëndësishme se sa shkollat?”, tha profesori Graham Medley, i cili është në krye të Grupit Këshillues Shkencor për Emergjenca (SAGE) për BBC-në të shtunën.
Komentet e Medley u bënë një ditë pasi që u panë turma të mëdha nëpër kafene në disa pjesë të Anglisë veriore pavarësisht rritjes së numrit të rasteve dhe kthimit të disa kufizimeve në disa rajone, transmeton KOHA.
Kafenetë u rihapën më 4 korrik në Britani. “Mendoj se jemi në një situatë ku shumica e njerëzve pajtohen se hapja e shkollave është prioritet për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve”, tha Medley.
Të premten kryeministri i Britanisë Boris Johnson tha se do të “shkelë frenën” për fazën e ardhshme të rihapjes si përpjekje për të zvogëluar numrat në rritje të infektimeve me koronavirus.
Kufizime të reja u lajmëruan për Anglinë veriore të enjten mbrëma në përpjekjen për të ndalur përhapjen e Covid-19. Përgjatë shtetit, disa hapësira të cilat duhej të hapeshin të shtunën, përfshirë kazinotë, sportet në hapësira të mbyllura dhe “shërbimet tjera që kanë kontakt të afërt mes njerëzve, do të mbesin të mbyllura deri së paku më 15 gusht”.