Enti rregullator britanik i barnave tha se kushdo që ka kaluar alergji të rënda (anafilaksi) nga ilaçet, ose ushqimet nuk duhet ta marrë vaksinën Pfizer-BioNTech për koronavirusin.
Zyrtarët dhanë të enjten udhëzime më të plota për paralajmërimin e bërë më parë mbi lidhjen mes këtyre alergjive dhe vaksinës.
Paralajmërimi për kujdes u drejtohet vetëm njerëzve që kanë kaluar reaksione alergjike të caktuara të shkallës së rëndë.
Ai vjen pas njoftimit të zyrtarëve britanikë rreth një numri të vogël efektesh anësore tek njerëzit që morën vaksinën në ditën e parë të fushatës së imunizimeve.
Gjithsej u regjistruan dy raste me anafilaksi si dhe një reaksion i mundshëm alergjik, gjë që i bëri zyrtarët t’i rishikojnë udhëzimet.
Anafilaksia mund të shkaktojë ënjtje të fytit, vështirësi në frymëmarrje dhe probleme në gëlltitje. Shërbimi Shëndetësor Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar e përshkruan këtë simptomë si të rëndë dhe nganjëherë kërcënuese për jetën.
Të mërkurën vonë, enti rregullator britanik tha se kushdo që ka një të kaluar me reaksione të rënda ndaj një vaksine, ilaçi ose ushqimi nuk duhet ta bëjë vaksinën.
Alergjitë e rënda janë shumë të rralla, sipas Universitetit “Queen Mary” të Londrës, i cili tha se në vitin 2012 pati vetëm shtatë shtrime në spital me alergji të rënda për çdo 100,000 banorë.
Disa ekspertë e vlerësuan qëndrimin e kujdesshëm të autoriteteve sa i përket marrjes së vaksinës nga personat alergjikë, ndërsa të tjerë, si një përfaqësues i Klinikës Mayo në SHBA, thanë për agjencinë Reuters se kufizime të tilla ishin të tepruara.
Prodhuesi i vaksinave Pfizer i kishte përjashtuar nga provat e fazave të vona njerëzit që kanë patur reaksione të rënda në të kaluarën. VOA