Fjalë Kyçe

Bulliqi zotohet se zyra e kryetarit do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes

Bulliqi zotohet se zyra e kryetarit do të udhëhiqet nga parimi i gjithëpërfshirjes

Trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët e Podujevës është zotuar se do të ketë në mandatin katërvjeçar kryetari Shpejtim Bulliqi, i cili të premten e ka zyrtarizuar vazhdimin e mandatit që e kishte nisur një vit më herët.

Bulliqi dhe këshilltarët e rinj të Kuvendit Komunal të Podujevës e kanë bërë betimin solemn në mbledhjen inauguruese që është organizuar të premten. Kjo mbledhje ka nisur me intonimin e himnit të Kosovës dhe atij kombëtar.

Këshilltari më i vjetër i kësaj legjislature, Hilmi Hoxha, nga radhët e PDK-së, fillimisht i ka ftuar të pranishmit për një minutë heshtje për nder të ish-kryetarit të parë të pasluftës në Podujevë, Syleman Gashi, i cili ndërroi jetë këtë javë. I njëjti ka thënë se nëse ndonjë nga anëtarët e Kuvendit të ri është më i vjetër se ai, të dalë ta udhëheq mbledhjen, por nuk është lajmëruar askush.

Pas ngritje së Komisionit, i cili e ka bërë verifikimin e mandateve të këshilltarëve të rinj komunalë, të njëjtit e kanë dhënë betimin, të cilin më pas edhe e kanë nënshkruar. Në këtë mbledhje nuk kanë qenë prezentë bartësi i listës së LDK-së, Ekrem Hyseni, dhe bartësja e listës së PDK-së, Floretë Zejnullahu, të cilët ishin edhe kandidatë për kryetar të komunës së Podujevës në këto zgjedhje.

Pas betimit, kryetari i rizgjedhur, Shpejtim Bulliqi, ka thënë se besimi që kanë marrë nga ana e qytetarë është nder, privilegj dhe përgjegjësi e madhe.

“Si kryetar i komunës unë ua shtrij dorë të gjithë juve pa dallim partie, që të punojmë bashkë e të shtyjmë përpara projektet që e zhvillojnë komunën dhe mbrojnë interesin e përgjithshëm. Sot edhe njëherë dua t’i ripërsëris disa nga parimet udhëheqëse që i kemi: Unë sot zotohem para llapjanëve se zyra e kryetarit të komunës do të udhëhiqet nga parim i gjithëpërfshirjes dhe trajtimi i barabartë sipas ligjit”, është shprehur Bulliqi gjatë kësaj mbledhje.

Sipas tij, shërbimi për qytetarët dhe ndaj qytetarëve do të jetë punë e tyre e përditshme.

“Nga këtu iu bëj thirrje qytetarëve, të rinjve dhe kuadrove të shumta që ka Llapi, të cilët kanë vullnetin, gatishmërinë dhe idealin për të kontribuuar me ide apo për çfarëdolloj ndihme për komunën e tyre, të na drejtohen, të na bashkohen dhe të na ndihmojnë”, ka theksuar kryetari i Podujevës.

“Komuna e Podujevës do të mirëpresë, dëgjojë e sigurojë bashkëpunimin e bashkëveprim konkret me të gjithë, pa asnjë dallim dhe pa diskriminim. Komuna jonë edhe shtëpia e jonë e përbashkët. Andaj ju inkurajoj të gjithëve që të bëhemi bashkë, të punojmë shumë për ta forcuar dhe zhvilluar edhe më shumë”.

Bulliqi i ka ftuar të gjithë të pranishmit që nga aty të shkojnë për homazhe në varrezat e dëshmorëve në Penhë dhe pastaj për ngushëllime te familja e ish-kryetarit Sylejman Gashi.