Fjalë Kyçe

Bushi: “Kjo skuadër i ka mundësitë për të bërë gjëra të mëdha”

Bushi: “Kjo skuadër i ka mundësitë për të bërë gjëra të mëdha”

Alban Bushi, trajneri i Shqipërisë U-21, ka folur për faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit pas barazimit 2-2 të arritur mbrëmjen e djeshme në Stamboll, përballë bashkmoshatarëve të Turqisë.

“E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë dhe e luftuar nga kundërshtari për ta fituar atë. Patëm kohë për ta përgatitur ndeshjen dhe kjo ishte diçka pozitive për ne. Menduam të vendoseshim mirë mbrapa dhe të prisnim shanset tona të cilat nuk ishin të pakta. Fillimin e pjesës së parë kishim vështirësi kur kishim topin në kontroll, e dorëzonim shumë shpejt dhe kjo na vuri ne veshtirësi sepse vraponim më shumë dhe humbnim shumë energji. Pjesa e dyte ishte ndryshe u futëm në lojën tonë dhe krijuam rastet për shënim dhe golat. Me pak kujdes mund ta fitonim ndeshjen por edhe ta humbnim, në këto nivele duhet të jesh shumë i kujdesshëm të gabosh më pak se kundershtari dhe të luftosh më shumë se ai. Ne luftuam dhe vrapuam më shumë se ata nuk donim ta humbisnim këtë ndeshje. Kemi pësuar 6 gola gjithsej në 3 ndeshje dhe të 6 golat jane gabime individuale, të vjen keq”.

Bushi ka folur dhe për perspektivën e këtij grupi që drejton. “Secili duhet të permirësohet, janë të vegjël dhe kanë potencial për kombëtaren A por gabime të tilla nuk duhen bërë ose të bëjmë sa më pak. Dua të falenderoj të gjithë skuadrën për atë çka dha në fushë për 94 minuta, ata bënë të pamundurën vrapuan dhe luftuan me zemër të madhe ata kishin grintë, dëshirë, kishin besim tek ajo që po bënin luajtën me personalitet kundra një kundërshtari me shumë cilësi dhe kualitet. Më vinte shume keq kur i shikoja që luftonin ashtu sa që doja të futesha në fushe dhe ti ndihmoja. Por zoti i shpërbleu në fund për djersën që derdhën. Duhet të vazhdojme kështu se futbolli është vazhdimësi dhe këta djem i kanë të gjitha mundësitë për të bërë gjëra të mëdha”.

Në listën e Shqipërisë U-21, për dy ndeshjet miqësore që do të luhen kundër Uellsit, më 9 Qershor në “Selman Stërmasi” dhe 11 Qershor në “Niko Dovana”, janë shtuar edhe tre lojtarë: Armando Broja, që vjen nga U-19, Redio Mihana dhe Elion Sota.