Fjalë Kyçe

Bushi: Ndeshja me Kosovën? Le të fitojë i miri

Bushi: Ndeshja me Kosovën? Le të fitojë i miri

Ekipet kombëtare të futbollit në Shqipëri, vitin 2018 e mbyllën me zhgënjim.

Rezultatet e dobëta nga U-15 deri tek ekipi kombëtar A, bëri që FSHF të ndryshonte disa nga trajnerët, ndërsa ata që i shpëtuan “fshesës”, ishin pikërisht Christian Panucci, që drejton ekipin e parë të kombëtares, si dhe Alban Bushi, që drejton U-21.

Ky i fundit ka pranuar për Telesport, se viti që po lëm pas ishte i dështuar në aspektin e rezultateve, për skuadrën që ai drejton. Mirëpo numri një i stolit të ekipit Shpresa, thotë se gjatë kësaj periudhe shumë nga lojtarët e U-21 u bashkuan me ekipin kombëtar A.

“Ndeshjet kanë qenë të mira në përgjithësi, rezultatet nuk kanë qenë të tilla. Por ka pasur shumë lojtarë që kanë kaluar tek ekipi i parë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Gjithsesi duhet të kemi dhe rezultate. Mendoj që ky ka qenë një vit jo pozitiv sa i përket rezultateve. Për sa i përket lojtarëve ka qenë “ok”, thotë Alban Bushi.

Megjithatë, 2018 po mbyllet dhe planet bëhen për vitin e ardhshëm. Ndër të tjera, Shqipëria do të përballet në kualifikueset e Europianit me ekipin Shpresa të Kosovës. Ky do të jetë derbi i parë i vërtetë mes shqiptarëve. Por Alban Bushi është më i ftohtë në këtë aspekt, pasi nuk e sheh si të tillë, pavarësisht ndjeshmërisë që ka kjo përballje. Bushi thotë se në fund të dyja skuadrat do të luftojnë për tre pikët.

“Mendoj që ndeshjen e ardhshme me Kosovën nuk do e quaj një derbi. Tashmë jemi realist që Kosova është veç, ne jemi veç. Ndonjëherë ti luan me vëllain tënd dhe duhet të fitosh në “lagje” dhe jo më me një ekip, që në fushë vlejnë tre pikë. Mendoj që janë një ekip i mirë. Si ne dhe Kosova jemi shqiptarë, por unë mendoj që të fitojë më i miri”, shprehet Bushi.

Shumë nga lojtarët aktual, që janë pjesë e ekipit U-21, janë në ditët e fundit për të luajtur me këtë përfaqësuese për shkak të kalimit të moshës. Ndaj federata ka nisur seleksionimet në Greqi dhe Itali, pjesë e grupit të punës është padyshim dhe Alban Bushi. Ai tregon se ka pak lojtarë cilësor në treg për grupmoshën e U-21, por datëlindja 2004-2005 ka lojtarë premtues.

“Me sa shoh te seleksionimet, ishim në Greqi dhe Itali, nuk është se kishte shumë futbollistë, siç ka qenë në vitet e kaluara. Nuk kishte shumë cilësi, por gjithsesi mosha 2004-2005 kishte lojtrë cilësor. Shpresoj që këtë vit, kemi parë dhe shumë lojtarë nga Shqipëria, që janë shumë cilësor. Lojtarët në Shqipëri më të mirë se sa ata jashtë”, shprehet Bushi.