Trajneri Bylbyl Sokoli, i ftuar në emisionin “Favorit” në T7 ka folur rreth favoritëve për ta fituar titullin e kampionit në IPKO Superligë dhe për ambiciet që ka me ekipin e tij, Ferizaj.
Bylbyl Sokoli beson se Feronikeli e ka një përparësi të lehtë karshi Prishtinës dhe Llapit në luftën për titull të kampionit në IPKO Superligë.
Trajneri i njohur kosovar është i ftuar në emisionin “Favorit” në T7, ku ka folur rreth favoritëve për titull të kampionit, por edhe për objektivat që ka skuadra që e udhëheq ai, Ferizaj.
“Për titull të kampionit do të vendoset në takimet e ndërsjella. Tri ekipet e para, Feronikeli, Prishtina e Llapi janë afërsisht të barabarta sa i përket cilësisë. Por, nëse e shikojmë orarin, ia jap një përparësi Feronikelit. Ndërkohë, e rëndësishme mund të jetë edhe pozita e dytë, pasi ajo mund të dërgojë në Evropë nëse Feronikeli e fiton titullin dhe Kupën”, u shpreh “Profa”.
“Ne e kemi mendjen tek barazhi, do të isha i kënaqur nëse përfundojmë aty. Mbetja në Superligë sigurohet me 41-42 pikë dhe ne e kemi të pamundur ta arrijmë këtë shifër të pikëve, prandaj jemi realistë dhe duam të përfundojmë në barazh. Jemi nën presion, por po mundohemi ta menaxhojmë atë. Nuk po e mendojmë rënien nga Superliga. Me angazhimin e të gjithëve do t’ia arrijmë qëllimit”, ka shtuar Sokoli, i cili ka kontratë me Ferizajn edhe dy vjet.
Ai e ka pranuar se ferizajasit nuk janë të kënaqur me ndarjen e drejtësisë, duke shtuar se gabimet e referëve e dëmtojnë krejt futbollin kosovar, jo vetëm ekipin të cilin e drejton ai.
Ndërkohë, trajneri i ri, Erdin Hashani, sa u përket favoritëve për titull, në garë më serioze i sheh vetëm dy skuadra.
“Tash e tutje, çdo gabim do t’ju kushtojë skuadrave që e synojnë titullin e kampionit. Nëse gabon këtë javë, Llapi do t’i humbasë gjasat për titull. Llapin e përjashtoj nga gara për titull pasi i shoh më favoritë Feronikelin dhe Prishtinën”, u shpreh ai në “Favorit”.
Nga ana tjetër, gazetari Arlind Sadiku mendon ndryshe.
“Unë do ta fusja edhe Llapin në garë për titull, krahas Feronikelit dhe Prishtinës”, deklaroi Sadiku, i cili pret që garë e nxehtë të jetë deri në fund të sezonit. Gjithashtu, në “Favorit” ai e përmendi faktin se edhe motivi financiar që do ta kenë skuadrat, e që është legal, do të luajë rol të rëndësishëm në pjesën finale të sezonit.