Nga shtatori i këtij viti do të ketë tekste të reja për parashkollorët, për klasat 1, 6, 10 dhe 2,7 e 11, raporton Koha Ditore.
Ketë e ka bërë të ditur ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi në një konferencë për media.
Ai ka thënë se tekstet fillimisht do të jenë në pilotim. Sipas tij, MASHT-i është i vendosur që të mos ketë asnjë tekst që nuk i plotëson standardet.
“Abetarja nuk ka qenë pjesë e procesit pasi e kemi Abetaren e përbashkët me Shqipërinë dhe po ashtu, as tekstet e gjuhëve të huaja pasi tashmë kemi një marrëveshje me shtëpitë e huaja botuese”, ka theksuar Bytyqi.
Sipas tij, i gjithë procesi i vlerësimit të teksteve ka kushtuar mbi 74 mijë euro. Bytyqi ka thënë se Ministria ka shpenzuar shumë më pak sesa ka qenë e planifikuar.
I pyetur përse vlerësimi nuk është bërë në Kosovë por në Shqipëri, Bytyqi ka thënë se këtu nuk ka hotel më të lirë dhe që i plotëson kushtet për këtë proces.
“Kemi qenë të obliguar që të krijojmë kushte sa më të mira për recensentët në mënyrë që ata të jenë pa ndikime të jashtme dhe vlerësimi të jetë sa më profesional”, ka theksuar Bytyqi.